Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ka bërë thirrje opozitës që të paraqesë një alternativë konkrete për Reformën Territoriale, duke theksuar se nuk duhet të përsëritet gabimi i bërë në të shkuarën nga Partia Demokratike gjatë drejtimit të saj të mëparshëm.
Në një reagim publik, Meta shprehet se për rreth dhjetë vite Edi Rama ka kontrolluar jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën, duke ia atribuar këtë, sipas tij, korruptimit të lidershipit opozitar të asaj kohe. Ai rikujton se Reforma Territoriale u miratua edhe pse qeveria nuk kishte numrin e nevojshëm të votave në Kuvend.
“Fatkeqësisht, Edi Rama e miratoi variantin që dëshironte edhe kur kishte vetëm 65 vota nga 84 që i duheshin 11 vite më parë”, shkruan Meta, duke shtuar se opozita e asaj kohe nuk paraqiti asnjë projekt alternativ.
Ai ironizon figurën që e cilëson si “matematikan”, duke theksuar se ky i fundit nuk paraqiti kurrë një alternativë në Komisionin Parlamentar dhe se, si shpërblim, mori mbështetje të fshehtë nga strukturat e mazhorancës në disa zona të vendit, një situatë që në atë kohë u quajt “pazari i Roskovecit”.
Edhe pse shprehet skeptik për ndikimin real të opozitës në vendimmarrjen e shumicës aktuale, Meta nënvizon se paraqitja e një alternative mbetet detyrim politik dhe moral.
“Edhe pse nuk jam optimist se pjesëmarrja e opozitës në këtë Komision do të jetë ndikuese në vendimin përfundimtar të shumicës, opozita e ka për detyrë të paraqesë alternativën e saj përpara qytetarëve shqiptarë”, thekson ai.
Sipas Metës, Reforma Territoriale ka sjellë degradim të shërbimeve publike, ka dobësuar përfaqësimin vendor dhe ka thelluar pabarazitë mes qarqeve dhe njësive administrative, duke cenuar barazinë e votës dhe funksionimin e demokracisë vendore.
