Masakra e “21 janarit” ku gjatë protestës së opozitës së kohës para Kryeministrisë në vitin 2011 u vranë katër protestues të pafajshëm, tragjedia e “Gërdecit” ku në vitin 2008 shpërtheu një depo municionesh duke vrarë 26 persona, apo trazirat e 1997 ku u vranë qindra qytetarët dhe grushti i shtetit i 1998, janë të gjitha vepra të ish-kryeministrit Sali Berisha. Të paktën kështu mendojnë socialistët, të cilët kanë hedhur dje akuza të forta në adresë të kreut të Rithemelimit, Sali Berisha. Fillimisht ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i cili duke folur nga foltorja e Kuvendit, kujtoi dhunën e Sali Berishës në zgjedhjet e ’96 dhe është e njëjta dorë që vijon ende në PD, teksa para tre ditësh u hodh një molotov në protestën e opozitës para bashkisë që rrezikoi jetën e gazetarëve. “Dje ka qenë 29 maj. 30 vjet më parë ka ndodhur masakra e Libofshës, ku falangat e bandave të Fierit të strukturuara në shtabin elektoral të Partisë Demokratike masakruan gjithë komisionerët e PS-së, njerëzit e thjeshtë, burra apo gra, të cilët jo vetëm pësuan fyerje të dinjitetit të tyre por edhe gjithë procesi u shndërrua në një falsifikim të pistë, të ndyrë elektoral duke vjedhur të gjitha votat dhe duke kthyer rezultatin e përgjakur në disa proces verbale. Është e njëjta dorë që bëri 14 shtatorin, është e njëjta dorë që bëri 21 janarin. Është e njëjta dorë që hodhi molotovin pardje, e njëjta dorë dhe vazhdon komunisti i Partisë së Punës të jetë lideri shpirtëror gjoja i Partisë Demokratike edhe sot në vitin 2024. Jam dakord që lufta e klasave ka qenë një luftë e padenjë për një shoqëri civile. Janë masakruar njerëz, janë vrarë. Por edhe lufta antikomuniste e klasave ka qenë e padenjë. Dua tju kujtoj se para pak kohësh ju fik jeta, gazetarit Zamir Dule. Gazetari u masakrua nga regjimi i Berishës dhe pasojat e atij masakrimi e çuan të humb jetë në një moshë relativisht të re. Por fati i tij është edhe i Remzi Hoxhës, dua të kujtoj vëzhguesit dhe komisionerët e PS në të gjithë vendin në vitin ’96”, deklaroi deputeti Petro Koçi nga foltorja e Parlamentit.
Reagon Balla
Ndërkohë akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha hodhi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili referuar dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, theksoi se kjo ngjarje i kujtoi momentin kur u vra Azem Hajdari dhe asokohe kreu i Rithemelimit pa pritur njoftim nga policia, sipas tij, akuzoi Fatos Nanon për ngjarjen, por theksoi se drejtësia konfirmoi gjithçka ndryshe. Sakaq ministri Balla i uroi shërim të shpejtë avokatit, ndërsa u shpreh se priste që PD të distancohej nga ajo deklaratë pas zbardhjes së ngjarjes nga policia. “Mu kujtua fabula e studentit të biologjisë që kishte mësuar vetëm mizën dhe iu përgjigj për mizën edhe kur e pyetën për lopën. Te ligji i adresave iu desh të shkoni të rruga Mustafa Matohiti, kati i 8, për të shkuar te një fjalë që të buroi nga shpirti për Berishën. Ua qaj hallin, e vuani shumë këtë fakt. Si nënkryetar i parë i PD. S’do kisha reaguar aspak nëse edhe ju nuk do kishit rënë në pellgun e baltës që familja Berisha vetë Sali Berisha dhe zëdhënësit e Berishës nxituan dje të përdornin politikisht një ngjarje të rëndë. Për Berishën kjo nuk është e re. Mbani mend, ju jeni i ri Gjekmarkaj në PD, por nëse i hidhni një sy historisë, brenda PD kjo ngjarja e djeshme më ngjau me reagimin e parë të vetë Sali Berishës dhe zëdhënësve sapo në 12 shtator 1998 u vra lideri historik i vërtetë Azem Hajdari. Kur ende policia po administronte vendin e krimit, njeriu doli në konferencë dhe emërtoi Fatos Nanon si urdhërues të vrasjes. Historia tregoi gjithçka ndryshe, drejtësia konfirmoi gjithçka ndryshe. Prisja sot nga ju, si numri 2 i PD, të vinit këtu dhe të thonit nuk ishte kështu, kjo është ngjarje e rëndë, para pak minutash kam biseduar me doktorët, bime të gjithë dakord që kjo është një prej atyre ngjarjeve që brenda 10 orësh është zbardhur e gjithë skena e krimit, përfshirë edhe porositësin. Rasti në fjalë është rast tipik q ëmë kujton. Pasi në 18:00 Policia doli në komunikim publik, mendova që pasi policia e bardhi ngjarjen do kishte një reflektim. Përsëri te rruge e Salës e njëjta histori, u porosit nga Rama, u ekzekutua nga Balla. Më falni, po shqiptarët ca i dini budallenj”, deklaroi Balla.
