Dështon rezoluta anti-korrupsion, PS miraton e vetme ngritjen e komisionit të posaçëm, debate të ashpra në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës, ja kush janë 6 deputetët që votuan kundër

Data

Pavarësisht dorës së shtrirë për të bashkëpunuar me opozitën, rezoluta e anti-korrupsionin e Edi Ramës duket se ka dështuar, pasi Partia Socialiste ka votuar e vetme dje në Kuvendin e Shqipërisë draftin për ngritjen e komisionit të posaçëm, ndërsa minoranca refuzon të jetë pjesë e tij. Seanca plenare u shoqërua dje me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ndërkohë që ashtu sikurse paralajmëruan dy ditë më parë Rithemelimi dhe grupi i Lulzim Bashës, nuk e mbështetën me votë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Kështu që mes tensioneve, në finale rezoluta ka kaluar në Kuvend vetëm me 74 vota pro të mazhorancës ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Ndërkaq shumica e deputetëve opozitarë zgjodhën ta bojkotojnë votimin, nga rreshti dolën vetëm 6 prej tyre, të cilët ngritën kartonin e kuq, Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi.

Debatet

Bojkoti i Lulzim Bashës e kishte një emër “manovër e pastër elektorale”. Bllokimi sipas tij, i disa iniciativave të PD-së, si vetingu i politikanëve apo amendamentet për fuqizimin e SPAK, janë sinjale të qarta që mazhoranca nuk e do luftën kundër korrupsionit, akuza për të cilat në mungesë të kryeministrit Rama iu përgjigj Elisa Spiropali. “Krijohet aty kur do të varrosësh një ide të mirë, apo kur do mos të bësh asgjë. Prej më shumë se një muaji janë depozituar amendamentet e PD për të ndihmuar SPAK financiarisht, pse refuzoni ta sillni për diskutim. Çfarë iu shtyn të mbani për më shumë se 6 muaj e gjysmë larg transparencës. Pse bëni sikur se shihni propozimin tonë, ligjin për vettingun e politikanëve. Korrupsioni më i madh në Shqipëri është korrupsioni zgjedhor”, deklaroi Basha dje. Por përveç retorikës, sipas Spiropalit, asnjë akt politik i Lulzim Bashës deri më tani, nuk ka treguar mbështetje ndaj reformës në drejtësi, pa nguruar ti kujtojë bojkotin e 2019-tës. “Parafolësi përmendni këtu komisioni që do votojmë sot, që ne kërkojmë dhe do ta bëjmë një komision jo vetëm me analiza politike, por do prodhojë një plan kombëtar dhe për mirë qeverisje dhe sundimin e ligjit. Ju thoni me fjalë se mbështesni reformën në drejtësi, dhe kur ishit në krye të asaj partisë braktisët zgjedhjet dhe kuvendin për të mos votuar ligjet e reformës. Ju thoni vetting politikanësh por keni dëshmuar kur ishit mbi kalë, keni shpëtuar me procedurë nga hetimi dhe gjykimi. Së fundmi vettingu në politik po bëhet nga SPAK. SPAK heton politikanët, e kemi lënë të lirë dhe i kemi çliruar duart. Për të hequr dhe imunitetet kur duhet”, nënvizoi Spiropali. Ndërkohë i menjëhershëm ishte reagimi i Bashës kundrejt Spiropalit. “Të doli për zot Elisa kur tha s’duam t’i fusim në rend dite amendamentet e PD. Për këtë është njësoj si shefi i saj të shpikë histori dhe të shkojë te pellazgët e ilirët për të na treguar se ata e kanë fajin për korrupsionin. SPAK ekziston për shkak të korrupsionit të Ramës dhe qeverisë së tij. Përsëris thirrjen edhe njëherë, sepse s’doni të merrni sipër votën kundër vettingut të politikanëve, kundër amendamenteve për SPAK. Ne duam një komitet koti që mos ti kthejmë përgjigje shqiptarëve se përse s’duam të votojmë propozimet e PD për fuqizimin e SPAK dhe vetingun e politikanëve. Refuzimi juaj për të sjell në këtë parlament ligjin për vetingun e politikanëve, refuzimi juaj për të sjell në këtë Parlament projektvendimin për heqjen e imunitetit të parlamentarëve, janë shprehje më të qarta të mungesës tuaj totale të vullnetit për luftë kundër korrupsionit, të faktit edhe komiteti apo komisioni që doni të krijoni nuk është gjë tjetër veçse një gjethe fiku për 10 muajt që i kanë mbetur një mazhorance 11 vite të zhytur kokë e këmbë në korrupsion”, nënvizoi Basha.

Detajet

Kujtojmë se Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor, ndërsa drejtues pritet të jetë socialisti Fatmir Xhafaj. Anëtarët do të jenë kryetarët dhe zv kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian   Objekti i komisionit, sipas projekt-vendimit do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian të vendit. Po ashtu në seancën e djeshme, Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 12 kundër edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për sistemin e adresave”. Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 12 kundër, projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related