Kupola e mazhorancës në ankth, prokurorët zgjatin me 3 muaj afatet hetimore për inceneratorin e Tiranës, në SPAK pritet të thirret edhe Edi Rama, ja dokumenti që e implikon, si i dha bonus me firmën e tij kompanisë fantazmë të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit

Data

Dosja e inceneratorëve ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja e të ndahet puna e ndershme nga abuzimi pafalshëm”. Ishin këto fjalët e zv.kryeministres Belinda Balluku pak javë më parë pas përfundimit të marrjes në pyetje në SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, hetimet e të cilit po mbajnë në ankth kupolën e mazhorancës. Tensioni i tyre është shtuar edhe më shumë, pas lëvizjes së fundit të prokurorëve specialë pasi afatet hetimore për inceneratorin e Tiranës i shtynë edhe për 3 muaj të tjerë. Kërkesa për zgjatjen e afateve hetimore është bërë nga prokurorët e çështjes dhe është pranuar nga GJKKO. Zgjatja e afateve ndodh teksa vijojnë hetimet, ku janë pyetur një sërë zyrtarësh të lartë si Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe Engjëll Agaçi si edhe kryebashkiakja e Durrësit. Inceneratori i Tiranës është një aferat më të mëdha korruptive, pasi ka gllabëruar me qindra miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë, por në realitet nuk ekziston. Është një aferë që mban brenda një aferë tjetër si ajo e dherave, e cila u ka kushtuar qytetarëve 60 milionë euro. Kjo dosje nuk do të mbyllet pa marrjen në pyetje edhe të kryeministrit Rama. Nga dokumentet që tashmë janë bërë publike për procedurat e inceneratorit të Tiranës, ka një moment kur përfshihet direkt kryeministri me firmën e tij. Rama ka hedhur firmën për vendimin me nr.855 të Këshillit të Ministrave, të datës 7 dhjetor 2016. Me këtë vendim ai ka bërë një gafë skandaloze, kur i dha bonus kompanisë së Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit që kishin bërë një ofertë të pakërkuar për inceneratorin e Tiranës. Vetëm se kompania e tyre, kur mori bonusin me firmën e Ramës nuk ekzistonte ende. Ky vendim skandaloz nuk do ta shpëtojë kryeministrin, i cili ka thënë se do të mbajë përgjegjësi për çdo firmë.

Si u vunë zyrtarët publikë në shërbim të aferës koncesionare

Birn, pak kohë më parë tregoi me detaje se si zyrtarët publikë u vunë në shërbim të aferës koncesciare. Në fund të vitit 2014, një specialist i sapodalë në pension i menaxhimit të mbetjeve merr një ofertë për t’u bërë këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit. Por në të njëjtën kohë, ish- sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako e çon të punojë për llogari të kompanisë “Integrated Technology Services” me aksioner Klodian Zoton. Vladimir Bezhani ka dëshmuar në Prokurori se meqë pozicioni i tij si këshilltar i ministrit nuk paguhej, Bllako i kishte thënë se për të marrë pagën do ta punësonte te kompania e Zotos. Investimi u kthye shpejt mbrapsht dhe në procedurat e koncesionit të inceneratorit të Tiranës, Bezhani luajti një rol të rëndësishëm për ta furnizuar kompaninë e Zotos me të dhëna mbi sasinë e mbetjeve që prodhonte Bashkia e Tiranës si dhe studime të mëparshme të kryera për menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet. Kjo do të ishte vetëm “maja e ajsbergut” në shkrirjen e funksionit publik me interesat private në aferën e inceneratorit të Tiranës – ku një sërë zyrtarësh të qeverisë qendrore dhe asaj lokale dyshohet se u vunë në dispozicion të projektit koncesionar të përfaqësuar nga dy biznesmenët në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Gjashtë vjet pas miratimit të kontratës, gropa financiare është e stërmadhe me gati 100 milionë euro të shpenzuara përmes buxhetit të shtetit, tarifës së depozitimit të mbetjeve dhe tarifës së operatorëve privatë për depozitimin e dherave, ndërkohë që inceneratori i premtuar nuk u ndërtua asnjëherë.

Hetimet

Pavarësisht dëmeve, akuzat kufizuan te shpërdorimi i detyrës për ish-ministrin Lefter Koka dhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO. Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet për korrupsion, ndërsa Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës deri më tani identifikuan shtatë shkelje të mëdha ligjore në procedurat e dhënies së bonusit nga Këshilli i Ministrave, përgatitja e dokumenteve të koncesionit, studimi i fizibilitetit me të dhëna fiktive e deri te fshehja e pronësisë përmes një kompanie guackë në Holandë dhe paraqitja e të dhënave të rreme në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndërkohë, përfaqësues të opozitës e akuzuan Prokurorinë se kishte amnistuar nga hetimi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama. Hetimet janë thelluar dhe kupola e mazhorancës ndihet e rrezikuar për shkak se shkeljet janë bërë hapur. SPAK deri më tani po tregon se nuk po kursen asnjë emër “VIP”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related