Projekti gjigant Durrës Marina, i promovuar si “Dubai i Ëndrrave” nga investitori arab Mohamed Alabbar përmes kompanisë Eagle Hills, po përballet me akuza dhe pikëpyetje të forta mbi sigurinë strukturore, mënyrën e financimit dhe ndikimin ekonomik për shtetin shqiptar.
Sipas raportimeve dhe verifikimeve të kryera nga institucionet mbikëqyrëse, dy prej godinave të para të kompleksit kanë pësuar ulje të konsiderueshme strukturore. Raporti i specialistëve të Instituti i Ndërtimit dhe strukturave të IKMT ka konstatuar se objekti i identifikuar si “Objekti 02” ka pësuar ulje prej 28 centimetrash, ndërsa “Objekti 04” rreth 18 centimetra.
Ekspertët e lidhin situatën me karakteristikat e vështira gjeologjike të zonës së portit të Durrësit, ku trualli përbëhet nga rëra marine, argjila kënetore dhe depozitime të pakonsoliduara, me nivel shumë të lartë të ujërave nëntokësore dhe rrezik të shtuar lëngëzimi gjatë tërmeteve.
Raportime investigative kanë ngritur dyshime se në fazat fillestare të ndërtimit nuk janë përdorur pilotat e thella të nevojshme për një terren të tillë, me pretendimin se kjo është bërë për të ulur kostot e ndërtimit. Sipas këtyre pretendimeve, problemet strukturore janë tentuar të mbulohen përmes ndërhyrjeve të mëvonshme me beton dhe përforcime anësore.
Godinat problematike janë projektuar nga kompania X Plan Studio, ndërsa zbatimi i punimeve është kryer nga Elmazaj Konstruksion.
Në raportimet publike ngrihen gjithashtu pikëpyetje mbi modelin financiar të projektit. Sipas analizave të bilanceve, kompania zhvilluese ka mbledhur dhjetëra milionë euro përmes parapagimeve të apartamenteve, ndërsa investimi direkt në kapital nga investitori kryesor konsiderohet relativisht i ulët krahasuar me vlerën totale të projektit.
Një tjetër debat lidhet me rolin e shtetit shqiptar në projekt. Përmes kompanisë shtetërore të zhvillimit portual, shteti zotëron 33% të sipërmarrjes dhe ka vënë në dispozicion rreth 818 mijë metra katrorë truall në zonën e portit ekzistues. Paralelisht, zhvendosja e funksioneve portuale drejt Porto Romano parashikohet të ketë një kosto shumë të lartë financiare për buxhetin publik në dekadat e ardhshme.
Analiza të publikuara mbi projektin paralajmërojnë se modeli i zhvillimit mund të sjellë rritje artificiale të çmimeve të pronave, krijimin e një tregu spekulativ dhe rrezik për kthimin e kompleksit në një zonë me apartamente të pashfrytëzuara, të blera kryesisht si asete investimi.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Eagle Hills mbi akuzat dhe pretendimet e ngritura për problematikat strukturore dhe mënyrën e financimit të projektit.
