Nga 1 mijë euro në 234 milionë për 5 muaj – Berisha: Skema mafioze e Agasit në kopshtin privat të Ramës

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se Ergys Agasi është futur në biznes më 15 shtator me vetëm 1 mijë euro dhe ka dalë në dhjetor me 234 milionë euro fitime, një rritje që sipas tij nuk ka asnjë precedent në historinë ekonomike.

Në deklaratën e tij për mediat, Berisha u shpreh se kjo pasuri e pazakontë lidhet drejtpërdrejt me dosjen e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si “kopsht privat” të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kjo agjenci, që varet drejtpërdrejt nga kryeministri, është përdorur për skema të rënda korruptive përmes kompanive me emërtime të ngjashme, të krijuara vetëm për të manipuluar tenderët publikë.

Berisha theksoi se protagonisti kryesor në hije i kësaj skeme është baxhanaku i kryeministrit, Armand Frangu, ndërsa përmendi edhe bashkëshorten e Ramës, Linda Rama, duke deklaruar se roli i tyre është i dokumentuar. Ai akuzoi mediat pranë qeverisë se shmangin qëllimisht përmendjen e këtyre emrave dhe përqendrohen te figura dytësore për të fshehur thelbin e aferës.

Sipas Berishës, Ergys Agasi është një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit dhe kjo lidhje, sipas tij, shpjegon fitimet “përrallore” që tejkalojnë kapitalin fillestar me mbi 22 milionë herë brenda vetëm pesë muajve. “Një fenomen që nuk ndodh askund tjetër në botë”, u shpreh ai, duke theksuar se këto janë para të vjedhura nga qytetarët shqiptarë.

Kreu i opozitës deklaroi se përmes këtyre kompanive janë paraqitur oferta fiktive në tendera, vetëm për të çuar proceset në ankime, për të bllokuar konkurrencën reale dhe për të garantuar fitues të paracaktuar. Sipas tij, kemi të bëjmë me një proces të mirëorganizuar, që ai e quajti “ultra-mafioz”, i ndërtuar për të grabitur fondet publike.

Berisha theksoi se kjo aferë përbën një nga skandalet më të rënda financiare të viteve të fundit dhe kërkoi hetim të plotë, duke deklaruar se e vërteta nuk mund të fshihet dhe se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related