Gjatë Foltores së radhës me të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat, ku ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shfaqën kritika të forta nga vetë radhët e të rinjve për mënyrën se si po organizohen dhe përfaqësohen këto takime.
Glauk Olldashi, djali i ish-deputetit Sokol Olldashi, u shpreh hapur se Foltoret po dëmtojnë imazhin e Partisë Demokratike, për shkak të përzgjedhjes së folësve që, sipas tij, shpesh janë të padenjë për të përfaqësuar opozitën dhe në disa raste flasin pa përgjegjësi, madje edhe në gjendje të papërshtatshme.
Ai theksoi se problemet e brendshme të partisë do të ishte më mirë të diskutoheshin larg kamerave dhe mediave, por e cilësoi të domosdoshme ngritjen e këtij shqetësimi, pasi pasojat bien kryesisht mbi të rinjtë. Sipas Olldashit, dëmtimi i imazhit të PD-së godet më fort brezin e ri sesa figurat drejtuese.
Olldashi vuri në dukje edhe mungesën e pjesëmarrjes qytetare në Foltoret që zhvillohen çdo të hënë, duke argumentuar se problemi nuk qëndron te dita apo vendi, por te përmbajtja dhe përfaqësimi. Ai sugjeroi që Foltoret të jenë tematike dhe të organizohen me ekspertë të fushave të ndryshme, si arsimi, shëndetësia, bujqësia apo industria, në mënyrë që qytetarët të ndihen të përfaqësuar dhe të interesuar.
Sipas tij, Shqipëria ka pafund probleme dhe opozita duhet t’i trajtojë ato me seriozitet, profesionalizëm dhe dinjitet, në vend që të ofrojë figura që, sipas Olldashit, bëhen objekt talljeje dhe largojnë qytetarët nga angazhimi politik.
