Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike në vendimin që pritet të merret sot nga Gjykata Kushtetuese lidhur me masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Duke folur në Foltoren e radhës në Tiranë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dhënë urdhër të qartë ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses për të votuar në favor të Ballukut, duke e cilësuar këtë si një akt që cenon rëndë interesat kombëtare dhe procesin e integrimit europian.
Sipas Berishës, vendimi që pritet të merret nuk është një çështje juridike, por një vendimmarrje politike e imponuar nga ajo që ai e quajti “organizata kriminale e Ramës”, me qëllim mbrojtjen e një grupi zyrtarësh të akuzuar për vjedhje masive të fondeve publike.
“Organizata kriminale e Ramës ka urdhëruar gjykatësit të votojnë pro Ballukut. Ata po votojnë kundër interesave jetike të shqiptarëve, për t’i hapur rrugë një grupi hajdutësh që kanë vjedhur miliarda dhe synojnë të vjedhin miliarda të tjera,” u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi se një vendim në favor të Ballukut mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen europiane të vendit, duke rrezikuar seriozisht procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
“Ky vendim mund të këpusë çdo urë lidhëse me Europën dhe të zerojë përpjekjet 35-vjeçare të shqiptarëve për integrimin në BE. Ata po votojnë pasi kanë marrë mesazhin se ky vendim mund të zhbëjë procesin e integrimit,” deklaroi kreu i PD.
Berisha theksoi se drejtësia po përdoret si mburojë politike për qeverinë dhe jo si instrument për mbrojtjen e ligjit, duke e cilësuar ditën e sotme si një provë vendimtare për pavarësinë reale të Gjykatës Kushtetuese dhe fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
