Dy të rinj janë arrestuar nga policia në Pogradec pasi dyshohet se tentuan të merrnin peng një 17-vjeçar dhe e plagosën me thikë.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit Marjo Xhangolli dhe Aljan Hilaj kanë tentuar ta fusin me forcë të miturin në automjetin e tyre, pas një konflikti për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, ata ushtruan dhunë fizike dhe e goditën me mjet prerës në dorë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të qytetit, ndërsa policia ka ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Autorët u larguan fillimisht nga vendngjarja, por u identifikuan dhe u kapën në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, në bashkëpunim me policinë e Prrenjasit.
I mituri ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për:
- “Heqje të paligjshme të lirisë” (e mbetur në tentativë)
- “Plagosje e lehtë me dashje”
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçë për veprime të mëtejshme.
