Avokati i Veliajt reagon pas publikimit të vendimit të Kushtetueses: U konfirmua mungesa e testit të proporcionalitetit

Data

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar pas publikimit të arsyetimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndreca u shpreh se vendimi i Kushtetueses konfirmon, sipas tij, problemin kryesor të ngritur prej mbrojtjes: mungesën e testit të proporcionalitetit gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë.

Sipas avokatit, gjykatat kishin analizuar interesin publik për garantimin e hetimit, por nuk kishin vlerësuar në të njëjtën masë edhe të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u qeverisur nga kryetari i zgjedhur me votë.

“Më shumë se një vit më parë kam deklaruar se problemi kryesor kushtetues ishte mungesa e testit të proporcionalitetit. Sot, pas 16 muajsh, Gjykata Kushtetuese konfirmoi pikërisht këtë”, shkroi Ndreca.

Ai shtoi se, sipas tij, vonesa në zbatimin e standardeve kushtetuese ka pasur pasoja për funksionimin e Bashkisë së Tiranës, për ushtrimin e mandatit të kryebashkiakut dhe për të drejtat individuale të klientit të tij.

Në reagimin e tij, Ndreca theksoi se tashmë përgjegjësia i takon Gjykatës së Lartë, e cila duhet të rishqyrtojë çështjen në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet pa vonesë. Çdo shtyrje e panevojshme zgjat një situatë që vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është shqyrtuar sipas standardeve kushtetuese”, u shpreh ai.

Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar se kjo e fundit nuk kishte dhënë një arsyetim të plotë lidhur me proporcionalitetin e masës së sigurisë dhe disa pretendime të tjera të paraqitura nga mbrojtja. Çështja është rikthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related