Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Caushi, ka reaguar ashpër lidhur me protestën e opozitës që po zhvillohet para Kryeministrisë, duke publikuar një video ku, sipas saj, shfaqet një i mitur me pllaka guri në dorë.
Në reagimin e saj në rrjete sociale, Caushi shprehet se përfshirja e fëmijëve në protesta përbën një akt të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, duke theksuar se është kaluar çdo kufi moral dhe ligjor.
“Kur një fëmijë gjendet në mes të protestës me gur në dorë, është kaluar çdo kufi. Të miturit duhen mbrojtur, jo përdorur për axhenda politike, për show mediatik apo për përballje të dhunshme”, shkruan deputetja.
Sipas Caushit, protesta ka humbur karakterin qytetar dhe po shndërrohet në një akt papërgjegjshmërie, ku rrezikohet siguria e fëmijëve dhe qytetarëve. Ajo bën thirrje që të miturit të mos përfshihen në situata që mund të përshkallëzojnë tensionin dhe dhunën.
Reagimi vjen teksa protesta e opozitës vijon përpara Kryeministrisë, nën masa të shtuara sigurie nga ana e Policisë së Shtetit.
