Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të reja ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai është “koka e korrupsionit” dhe se dosja më e rëndë, sipas tij, lidhet me AKSHI-n.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha tha se në dosjen ndaj Belinda Ballukut, nga 6500 mesazhe të administruara, 3800 i përkasin kryeministrit Rama. Sipas tij, kjo provon se Balluku ka vepruar si “shërbëtore” e Ramës, ndërsa përgjegjësia kryesore bie mbi kreun e qeverisë.
Berisha theksoi se çështja e AKSHI-t përbën, sipas tij, “dosjen më kriminale”, duke pretenduar se përmes saj janë shpërdoruar qindra milionë euro dhe janë cenuar të dhënat personale të qytetarëve.
“Me dosjen AKSHI, Edi Rama plaçkiti nëpërmjet baxhanakut qindra miliona euro. Bashkë me Mirlindën e AKSHI-t plaçkitën të dhënat e të gjithë shqiptarëve. Morën peng, emëruan dhe shkarkuan ministra në përputhje me interesat kriminale Rama–Agasi”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin se ka shpërblyer me dhjetëra tendera kompaninë 2T, ndërsa kërkoi sërish dorëheqjen e menjëhershme të Ramës.
Sipas Berishës, mbrojtja që po i bëhet Ballukut lidhet me përpjekjet për të mbrojtur veten dhe për të shmangur përgjegjësitë ligjore, duke shtuar se Kushtetuta parashikon pezullim nga detyra në raste të tilla.
