Në protestën kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë, Ilir Alimehmeti akuzoi qeverinë se ka dështuar rëndë përballë shqiptarëve, duke e cilësuar shpopullimin masiv si krimin më të madh të saj.
Nga podiumi, Alimehmeti u shpreh se mbi 1.6 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi për shkak të politikave të gabuara, korrupsionit dhe abuzimit me pasuritë publike. Sipas tij, nuk ka akuzë më të rëndë ndaj një qeverie sesa largimi i qytetarëve nga atdheu.
Ai kritikoi investimet publike, duke theksuar se rrugët dhe tunelet e ndërtuara nga qeveria shemben brenda një viti, ndërsa shqiptarët paguajnë kosto të larta për projekte pa cilësi dhe siguri. “Kur ke pushtetin, ke përgjegjësinë”, tha Alimehmeti, duke shtuar se sot askush nuk mund të justifikohet më.
Alimehmeti foli edhe për goditjen e vlerave shoqërore dhe pronës, duke theksuar se qeveria ka zhdukur sigurinë, familjen dhe të ardhmen e brezave të rinj. Në përfundim, ai u shpreh se largimi i Edi Ramës është kushti i parë për ringritjen e Shqipërisë dhe kthimin e emigrantëve.
