Mëngjesi i 20 shkurtit 1991 nisi si një ditë e zakonshme në Tiranën e rraskapitur nga varfëria dhe trazirat politike, por përfundoi si momenti që vulosi fundin e regjimit komunist. Në mes të mijëra zemrave që rrihnin me revoltë dhe shpresë, një monument i bronztë, i ndërtuar për të përjetësuar diktaturën dhe diktatorin Enver Hoxha, u shemb nën thirrjet e një populli që kishte duruar për gati gjysmë shekulli. Por a ishte kjo një shpërthim i natyrshëm i pakënaqësisë popullore apo një akt i orkestruar nga brenda pushtetit? Ndërsa turma të tëra u derdhën nga rrugët e kryeqytetit drejt qendrës, njeriu i vetëm që arriti ta dokumentonte këtë çast historik, Fatmir Çepani, qëndronte në një cep të sheshit, duke regjistruar të pathënat e një ngjarjeje që do të ndryshonte rrjedhën e Shqipërisë.
Me pasionin e një gazetari dhe ndjenjën e pashmangshme të një epoke që po përfundonte, ai filmoi atë që historia do ta mbajë mend si ditën kur Shqipëria vendosi të përmbyllë një kapitull të errët. Ishte një revoltë spontane apo një skenar i shkruar nga lart? Çfarë roli luajtën Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha dhe Sali Berisha në këtë ngjarje? A ishin sigurimsat të infiltruar mes protestuesve? Këto pyetje marrin përgjigje në këtë interviste që Z. Çepani ka dhënë për gazetën “SOT”, ndërkohë që një gjë është e sigurt, se ajo ditë nuk ishte thjesht rrëzimi i një busti, siç ishte shembja e monumentit të diktatorit Hoxha, por rrëzimi i një sistemi të tërë. Më poshtë po pasqyrojmë intervistën e plotë të Z. Fatmir Çepani, ish-operator i RTSH dhe ish-pjesëtar i informacionit të RTSH në vitin 1991, dhënë kryeredaktorit të gazetës “SOT”, Rigels Seliman.
