Ish-deputeti Nard Ndoka ka paralajmëruar se protesta e 20 shkurtit do të jetë “2-fish më agresive” se ajo e 10 shkurtit, duke folur për skenarë të ndryshëm që sipas tij janë në tryezën e opozitës.
Në një intervistë televizive, Ndoka u shpreh se protesta nuk do të jetë një “fotokopje” e asaj të mëparshme dhe se mund të marrë forma më të ashpra, në varësi të pjesëmarrjes dhe këmbënguljes së qytetarëve. Ai përmendi mundësinë e një qëndrese afatgjatë, përqendrim më të madh para Kryeministrisë, madje edhe rrethim të saj.
Sipas Ndokës, në diskutim janë edhe forma të tjera presioni, përfshirë grevë urie nga grupi parlamentar, si dhe forma simbolike rezistence që ai i quajti “zjarre partizane”.
“Protesta ka skenarët e vet, por gjithçka varet nga qytetarët. Nuk do të jetë si ajo e 10 shkurtit. Do të jetë më e ashpër dhe me forma të tjera. Mund të kemi qëndresë afatgjatë, rrethim të Kryeministrisë apo zhvillime të tjera, në varësi të mbështetjes”, u shpreh ai.
Ndoka shtoi se protesta, sipas tij, është e vetmja rrugë për të sjellë ndryshim, duke theksuar se opozita do të përdorë “të gjithë skenarët e mundshëm”.
Kujtojmë se në protestën e 10 shkurtit u lënduan 19 efektivë policie pas përplasjeve dhe hedhjes së molotovëve, çka solli reagime të forta nga mazhoranca dhe kritika nga përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët dënuan përdorimin e dhunës në një vend demokratik.
