Situata brenda Partisë Demokratike duket se po nxehet dita-ditës, teksa zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë, themelues dhe demokratë kërkojnë “kokën” e Sali Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, të shumtë janë ata që kërkojnë që Sali Berisha të votëbesohet, ndërsa ka nga ata që kërkojnë madje edhe largimin e tij nga drejtimi i PD. Deputeti në ikje, Dashnor Sula, i cili u la jashtë listave të kandidatëve më 11 maj, sërish kërkon që të jetë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Për të demokratët duhet të zgjidhin krizën, ku propozon mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar pajtimi dhe ristrukturim të plotë nga baza deri në kupolën drejtuese.
Z. Sula thekson se Berisha nuk duhet të largohet, por të jetë mbikëqyrësi i të gjithë procesit. Një krizë të vazhdueshme që ka nisur me largimin nga pushteti në vitin 2013, e konsideron situatën në të cilën ndodhet PD. Në një prononcimi për gazetën, Sula pohon se demokratët janë në udhëkryq, por sipas tij, ka ende mundësi për t’u ringritur. Zgjidhja duhet të vijë nga kryetari Sali Berisha. “Kam kërkuar të dorëhiqet zoti Berisha, por duhet të shtyhet në një kohë të dytë. I vetmi njeri që mund të mbaj situatën siç është PD, që të mos bëhet copa-copa është zoti Berisha”, u shpreh Sula. Më tej deputeti i mbetur jashtë Kuvendit të ri, pohon se nuk është mjeku më i mirë politik për të shëruar plagët e PD, por sërish është i mendimit se kriza zgjidhet vetëm nëse nis ristrukturimi nga baza deri në kupolën drejtuese. “Seksion, grupseksion, degët e më pas zgjedhje në degët e PD, te sekretariati e te nënkryetarët. Këtë proces duhet ta ndjek dhe udhëheq Sali Berisha, me një grup pune që nuk ka lidhje, nuk duhet të kenë lidhje me grupin humbës duke nisur me drejtuesit e qarqeve, apo Sekretari i Përgjithshëm e poshtë”, theksoi Sula.
Po ashtu ai tregon se kush mund të jenë drejtuesit e këtij grupi pune. “Duhet të jenë figura të pastra, dhe madje unë e gjej zgjidhje te ato figura që ishin te lista e hapura, por kandidatët e nominuar te lista e hapur që u provuan që qytetarët u japin besimin”, shprehet ai. Po ashtu, një tjetër aspekt i krizës sipas tij, është edhe mbivendosja e funksioneve parlamentare dhe atyre partiake, ndaj është i idesë që të gjithë deputetët të mos kenë më asnjë funksion në parti. “Pra duhet të shkëputen funksionet parlamentare, pra nuk duhet të jenë edhe deputetë edhe me funksione në parti. Harrohet baza, nuk kanë kohën e mjaftueshme për t’u marrë me bazën”, nënvizon ai. Megjithatë ristrukturimi i plotë i partisë për Sulën nuk është i mjaftueshëm, por thotë se një zgjidhje më e plotë do të ishte dhe mbledhja e Kuvendit kombëtar, për të bashkuar edhe ata që janë larguar në vitet e fundit.
