Teksa kryetari i Partisë Demokratike , Sali Berisha dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ai i PL, Tedi Blushi, kanë zhvilluar dje në selinw blu një takim “kokë më kokë” që ka zgjatur rreth 2 orë. Takimi, që zgjati mbi dy orë. Ky takim u paraqit si “strategjik” për aksionin e ri opozitar në shtator. Por burime nga selia e demokratëve bëjnë me dije se Noka dhe Blushi diskutuan “rrugën e përbashkët” që do ndjekin në terren dhe në Kuvend. Në tavolinë ishin edhe idetë për protesta të reja kombëtare, të cilat, sipas tyre, do shërbejnë si presion ndaj qeverisë.
Por ironia e hidhur mbetet e njëjta: nëse sesionin e kaluar opozita dogji Kuvendin, përplasi karriget dhe krijoi kaos në sallë, rezultati ishte sërish një disfatë e plotë në zgjedhje. Këtë herë loja duket më e butë: opozita nuk njeh zgjedhjet, por mandatet i mban me kujdes, sepse secili deputet përfiton afro 3 mijë euro në muaj. Kështu, ndërsa për publikun flitet për “kauzë” dhe “luftë politike”, për ta realiteti është një tjetër, mandati nuk lëshohet, kolltuku është i shtrenjtë dhe rroga është më e sigurt se çdo protestë. Në vjeshtë pritet një tjetër sezon deklaratash të forta e protestash “të mëdha”, por shqiptarët e kanë parë këtë film edhe më parë; zhurmë, tym e retorikë pa fund, për një opozitë që duket se lufton më shumë për të ruajtur karrigen e Saliut sesa për të ndryshuar realitetin.
