Kuvendi i Shqipërisë është në pritje të dekretit të Presidentit Bajram Begaj për të thirrur mbledhjen e parë të legjislaturës XI, ndërsa socialistët janë në ankth, në pritje të Edi Ramës për të shpallur qeverinë e re dhe Kryetarin e Kuvendit në asamble. Sipas traditës, kryesocialisti bën lëvizjet e tij në ditët e fundit të gushtit. Sipas Kushtetutës, Presidenti e thërret Kuvendin jo më vonë se 10 ditë nga përfundimi i mandatit të legjislaturës aktuale. Me shumë gjasë, seanca e parë do të jetë më 10 Shtator. Sali Berisha do të ketë në dorë seancën konstituuese të Kuvendit të Ri. Kjo i takon pasi është deputeti më i vjetër në moshë dhe duhet të drejtojë seancën e parë të Parlamentit deri në momentin e zgjedhjes së kryetarit të ri. Nëse ndodh që Sali Berisha të refuzojë këtë rol të përkohshëm, kjo e drejtë i takon Tritan Shehut dhe më pas Vasil Llajos. Por cilat do të jenë ndryshimet në qeverinë “Rama 4”, kush do bëjë çfarë, gjithçka pritet të mësohen në Asamblenë e Partisë Socialiste që pritet të thirret nga kryeministri Edi Rama në ditët e fundit të gushtit.
Ndryshimet në qeveri
Ndërkohë duke parë zhvillimet e javëve të fundit, theksojmë se sinjalet janë se Rama do të bëjë shumë ndryshime; ku përveç largimeve të shumta, mund të ketë ridimensionim në organizimin dhe emërtimin e ministrive. Por, ashtu siç ai e ka zakon, konsultohet vetëm me një grup shumë të ngushtë individësh dhe pjesa dërrmuese janë në pritje. Ajo që vihet re, është se në qeveri ka disa figura që kanë një periudhë shumë të gjatë aty. Nëse i marrim me radhë, ministrja më jetëgjatë është Mirela Kumbaro, e cila ka dalë dhe është rikthyer në qeveri. Mirela Kumbaro në vitin 2013 u emërua ministre e Kulturës, post që e mbajti për gati 6 vite. Më 2019 ajo u largua, por u rikthye më 2021 në postin e ministres së Mjedisit dhe Turizmit. Pra, Kumbaro ka afro 10 vite në qeveri. Më pas vjen Ogerta Manastirliu.
