Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas publikimit të një raporti nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke pretenduar se në paraburgim po përballet me shkelje të rënda të të drejtave themelore.
Në deklaratën e tij, Meta falënderon organizatën për raportin, të cilin e cilëson profesional dhe të paanshëm, ndërsa thekson se ai evidenton “shkelje flagrante” të të drejtave njerëzore dhe politike ndaj tij.
Sipas Metës, trajtimi në paraburgim është çnjerëzor dhe i krahasueshëm me mënyrën se si trajtohen persona të akuzuar për terrorizëm. Ai e cilëson këtë situatë si një formë persekutimi politik, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
“Këto konstatime nuk flasin vetëm për rastin tim, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit dhe edhe vetë punonjësit e sistemit”, shprehet ai.
Meta thekson se paraburgimi duhet të përdoret vetëm në raste të domosdoshme dhe për periudha të kufizuara, duke paralajmëruar se përdorimi i tij si mjet ndëshkimi apo presioni cenon parimet bazë të shtetit të së drejtës, përfshirë prezumimin e pafajësisë dhe barazinë para ligjit.
Në fund të reagimit, ai i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe nga Avokati i Popullit, për të garantuar respektimin e të drejtave të çdo personi të privuar nga liria.
