Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka zbuluar në një intervistë televizive mënyrën se si do të vijojë strategjia e protestave të opozitës kundër qeverisë.
Sipas tij, protesta e fundit ishte ndër më të mëdhatë e organizuara nga PD, por ajo që vjen do të jetë edhe më e fuqishme, si në pjesëmarrje ashtu edhe në formë. Gjoni theksoi se opozita do të ndjekë një qasje të re, me protesta që nuk do të jenë thjesht simbolike, por të zgjatura dhe të qëndrueshme në kohë.
“Protestat e radhës do të kenë një kohëzgjatje tjetër dhe do të jenë shumë më të forta. Do të jenë protesta të qëndrueshme, natë e ditë”, deklaroi ai.
Deputeti bëri të ditur se protestat nuk do të kufizohen vetëm në Tiranë, por do të shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit, duke përmendur edhe protestën e zhvilluar në zonën Mamurras–Laç, në lidhje me përmbytjet. Sipas tij, çdo formë proteste kundër qeverisë është e mirëpritur dhe do të mbështetet nga Partia Demokratike.
Gjoni shtoi se strategjia është ende në përpunim, por pjesë e saj do të jenë edhe qytetarë nga diaspora, të cilët janë të gatshëm të vijnë dhe të qëndrojnë për ditë të tëra në shesh.
Ai nuk përjashtoi as forma më ekstreme të reagimit, si greva e urisë apo ngujimi i deputetëve dhe drejtuesve të PD-së.
“Është minimumi që u detyrohemi qytetarëve shqiptarë. Duhet të jemi në ballë të çdo proteste dhe çdo sakrifice, që kësaj qeverie t’i vijë fundi njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Gjoni.
