“Narkoqeveria nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore”/ Berisha: Hidrovori në Porto Romano nuk funksionon

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj situatës së përmbytjeve në vend, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht përmasave dramatike të situatës.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se mijëra banesa dhe biznese janë përmbytur, ndërsa jeta e qytetarëve është seriozisht e rrezikuar, por sipas tij qeveria ka zgjedhur të mos aktivizojë mekanizmat shtetërorë të emergjencës.

“Sot, në kushte kur mijëra qytetarë kanë shtëpitë dhe bizneset nën ujë dhe jetën të kërcënuar, narkoqeveria nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila do ta detyronte shtetin të mobilizonte burimet për shpëtimin dhe evakuimin e banorëve,” deklaroi ai.

Berisha u ndal veçanërisht te situata në Durrës, duke theksuar se përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e reshjeve, por edhe e degradimit të infrastrukturës. Sipas tij, hidrovori i Porto Romanos funksionon pjesërisht, pasi disa porta janë jashtë pune, ndërsa hidrovori i Hamallës ka pompa të djegura.

“Hidrovori i Porto Romanos ka disa porta që nuk funksionojnë. Hidrovori i Hamallës i ka pompat të djegura. Kanalizimet janë të bllokuara dhe nuk janë pastruar. Kjo gjendje katastrofale ka favorizuar përmbytjen e banesave të qytetarëve,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se situata është po aq alarmante edhe në zona të tjera të vendit, duke përmendur Novoselën, ku sipas tij rreziku nga lumi Vjosë është i lartë dhe i paparashikueshëm.

Në fund, Berisha u bëri thirrje banorëve të zonave të rrezikuara që të evakuohen sa më shpejt, duke paralajmëruar se përmbytjet mund të marrin përmasa edhe më të rënda në orët dhe ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related