Banorët e Orikumit shprehen të tronditur një ditë pas ngjarjes së rëndë që ka prekur thellë komunitetin, ku një burrë dyshohet se ka mbytur bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas banorëve të zonës, çifti njihej si njerëz të qetë dhe të respektuar, pa probleme të dukshme apo konflikte të hapura me komunitetin. Ngjarja ka ardhur si një goditje e papritur për fqinjët dhe të njohurit e tyre.
“Na ra si bombë. Nuk e mendonim kurrë që një gjë e tillë mund të ndodhte në familjen e tyre,” shprehen banorët, duke theksuar se janë ende të shokuar dhe të prekur emocionalisht nga ajo që ka ndodhur.
Disa prej tyre dyshojnë se xhelozia mund të ketë qenë një nga faktorët që çoi në këtë tragjedi familjare, megjithatë theksojnë se kjo mbetet vetëm një hamendësim dhe se asgjë nuk e justifikon një akt të tillë.
Ngjarja ka lënë pas dhimbje të madhe dhe pikëpyetje në komunitet, ndërsa banorët shprehin keqardhje të thellë për humbjen e dy jetëve dhe pasojat që kjo tragjedi ka sjellë për familjarët dhe të afërmit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
