Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, lëshoi kritika të drejtpërdrejta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar. Ai tha se prej vitesh aleatët shihen nga militantët e PD-së si “peshë” apo “kosto”, perceptim që sipas tij është i gabuar dhe i ushqyer nga mungesa e transparencës.
Ndoka theksoi se kontributi i partive aleate është i rëndësishëm dhe shpeshherë nënvlerësohet:
“Na bëni tabelë qitje. Aleatët janë vota për ju, janë vlerë e pluralizmit, por marrim shumë më pak se peshën tonë elektorale”.
Ai akuzoi se që prej vitit 2018 aleatët nuk testohen më me kandidatët e tyre, duke u lënë jashtë garës dhe duke u numëruar vetëm votat “në letër”, ndërsa PD përfiton mijëra vota të tjera nëpërmjet koalicionit:
“Është një hile e qëllimshme. Ne nuk kemi kandidatë në Tiranë, ndërsa votat tona i merrni ju”.
Ndoka foli edhe për perceptimin e militantëve, të cilit iu drejtua Berishës:
“Krijohet një frymë sikur aleatët janë kosto. Jo! Ne jemi vlerë. Ju këtë e dini, por nuk ua thoni”.
Në vijim, ai kujtoi edhe fuqinë që disa parti kanë pasur në të shkuarën, duke përmendur LSI me 100 mijë vota dhe PDK-në me 58 mijë vota e 6 mandate. Sipas tij, koalicioni duhet të funksionojë me respekt të ndërsjellë dhe me hapësirë për siglat dhe kandidatët e partive aleate.
“Ne duam koalicion të vërtetë, me siglën tonë, kandidatët tanë dhe mbështetje të ndërsjellë. Jo thjesht t’i bashkangjitemi listës së PD-së”, përfundoi Ndoka.
