Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së opozitës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se i ka shpallur luftë qytetarëve dhe opozitës.
Berisha u shpreh se protesta e sotme përfaqëson një mision historik për largimin e qeverisë dhe për mbrojtjen e demokracisë dhe familjes shqiptare. Ai iu përgjigj edhe skeptikëve që vënë në dyshim efektin e protestave, duke paralajmëruar se beteja do të vazhdojë pa u ndalur.
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptare dhe demokracinë. Ka nga ata që pyesin çfarë do bëjmë. Ne do bëjmë atë që kanë bërë gjithmonë shqiptarët: ose do vdesim, ose do jetojmë për liri. Mjerë ai që provohet me ne,” tha Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, ai paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar dhe përballje të drejtpërdrejtë me qeverinë.
“Na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë. Do t’i shkojmë në Surrel. Kur kemi dalë me këtë betim, kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet një grusht hajdutësh të nëpërkëmbë një popull të tërë,” u shpreh Berisha.
Fjalimi u shoqërua me brohoritje nga protestuesit, ndërsa protesta vijoi me tensione pranë Kryeministrisë.
