Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vijuar mbrojtjen e tij në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po shqyrtohet çështja ndaj tij dhe ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhi.
Gjatë deklarimeve para gjykatës, Meta kundërshtoi akuzat që lidhen me çështjen CEZ-DIA, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet e ish-ministrit Dritan Prifti për përfshirjen e tij në këtë aferë.
Sipas Metës, në komunikimet dhe dokumentet e përmendura nga hetimi nuk figuron emri i tij. Ai iu referua një emaili të vitit 2011, ku sipas tij përmendet natyra korruptive e kontratës CEZ-DIA, por pa përfshirë emrin e tij apo të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Meta solli gjithashtu në vëmendje dëshminë e ish-drejtuesit të kompanisë CEZ, Josef Heisek, i cili sipas tij kishte deklaruar se prezantimi i biznesmenit Kastriot Ismailaj me drejtuesit e kompanisë ishte bërë nga ish-ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi.
Një nga pikat kryesore të deklaratës së Metës ishte edhe pretendimi i SPAK-ut për një mesazh të vitit 2009, ku përmendet shuma prej 200 mijë eurosh. Meta mohoi kategorikisht se mesazhi ishte dërguar prej tij, duke deklaruar se teknologjia mundëson manipulime të tilla dhe se një pretendim i tillë nuk mbështetet nga prova të pakundërshtueshme.
“Është shumë e thjeshtë që, me teknologjinë e sotme, të niset një mesazh i tillë nga dikush tjetër. Unë kam qenë në opozitë dhe është e pamundur që të kërkoja diçka që lidhej me një ngjarje që do të ndodhte 14 muaj më vonë”, deklaroi Meta para trupit gjykues.
Seanca në GJKKO vijon me shqyrtimin e provave dhe argumenteve të palëve, ndërsa pritet që gjykata të vendosë mbi kërkesat e paraqitura në këtë fazë të procesit.
