Muharremi pas vendimit për Veliajn: Prezumimi i pafajësisë po cenohet nga gjyqet publike dhe linçimi mediatik

Data

Këshilltari i Partia Socialiste e Shqipërisë, Alfred Muharremi, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke shprehur shqetësimin për atë që ai e cilëson si cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë.

I ftuar në një studio televizive, Muharremi deklaroi se rasti i Veliajt po shoqërohet me një klimë urrejtjeje dhe gjykimi publik, të cilën e krahasoi me praktikat e gjyqeve popullore të periudhës komuniste.

“Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë kushtetuese e çdo individi dhe përderisa aktualisht nuk kemi akuza të provuara ndaj zotit Veliaj, çdokush ka të drejtë ta konsiderojë të pafajshëm”, u shpreh ai.

Sipas Muharremit, debati publik dhe trajtimi mediatik i çështjes kanë krijuar një perceptim paragjykues përpara se drejtësia të japë një vendim përfundimtar.

Ai tha se beson te institucionet e drejtësisë, por vlerësoi se në rastin e Veliajt nuk është respektuar plotësisht parimi i prezumimit të pafajësisë.

Muharremi ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e shpeshtë të masës së sigurisë “arrest me burg”, duke argumentuar se sistemi shqiptar shpesh e përdor këtë masë si zgjedhje të parë dhe jo si mjet të fundit.

Sipas tij, hetimet duhet të jenë më efikase dhe të mos zgjasin për periudha të gjata, ndërsa akuzat duhet të mbështeten në prova të qarta dhe të qëndrueshme.

Duke iu referuar pasojave personale dhe familjare të proceseve të tilla, Muharremi theksoi se linçimi publik mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme për individët e përfshirë.

“Kush ua kthen dinjitetin këtyre individëve nëse më pas rezultojnë të pafajshëm? Kush ua rikthen imazhin, familjen dhe dëmin moral?”, deklaroi ai.

Muharremi shtoi se në rastet kur provohen shkelje apo përfitime të paligjshme, prioritet duhet të jetë konfiskimi i pasurive dhe rikthimi i tyre në interes të qytetarëve, duke argumentuar se burgimi i personave që më pas shpallen të pafajshëm përbën kosto jo vetëm njerëzore, por edhe financiare për taksapaguesit shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related