Muharrem Xhafa rrëfen të pathënat: Ramiz Alia tradhtoi Partinë e Punës, si e përdori Berishën si mashë, ja porositë…

Data

24 vite më parë, lëvizja studentore e dhjetorit 1990 çoi në rrëzimin e regjimit komunist. Kjo lëvizje, që filloi më 8 dhjetor, ka qenë subjekt i shumë debateve dhe diskutimeve, me disa që e shohin si një iniciativë autentike të studentëve, të cilën më pas e kontrolluan ata që formuan Partinë Demokratike, ndërsa të tjerë besojnë se ajo u orkestrua nga brenda Partisë Komuniste, veçanërisht nga Ramiz Alia. Gazeta “SOT” ka kontaktuar Muharrem Xhafën, ish-shef i sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, për të zbuluar më shumë rreth këtij procesi.

Në një rrëfim të paharrueshëm, Muharrem Xhafa zbulon detaje të panjohura nga ngjarjet që shënuan vitin 1990 dhe ndihmuan në rrëzimin e regjimit komunist. Ai flet për tradhtinë që Ramiz Alia i bëri Partisë së Punës, duke e përdorur Sali Berishën si një mashë për të realizuar planet e tij. Xhafa tregon gjithashtu porositë që Alia i dha në shtëpinë e tij për lëvizjen e 8 Dhjetorit, duke zbuluar një aspekt të fshehur të asaj periudhe dhe ndikimin që kjo lëvizje pati në formimin e politikës pas-komuniste në Shqipëri. A është vërtet Sali Berisha ai që ka drejtuar të ardhmen e PD-së, dhe si e shikon Xhafa zhvillimin e politikës shqiptare për sa kohë ai mbetet në krye të kësaj force politike? Ky rrëfim përmban shumë më tepër se kaq.

-Zoti Xhafa, nesër përkujtohet 8 dhjetori i 1990 kur dhe nis lëvizja studentore për rrëzimin e sistemit komunist. Ju keni qenë shef i sektorit të Edukimit në KQ të PPSH të asaj kohe dhe i kini ndjekur ato zhvillime. Çfarë ndodhi më 8 dhjetor dhe a është e vërtetë se ajo lëvizje ishte e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia?

Si shumë të tjerë edhe unë e kam ndjekur debatin. Për pozicionin që kam mbajtur në aparatin e KQ të PPSH-së, sigurisht që kam pasur dijeni dhe për lëvizjen studentore të dhjetorit ’90. Madje, kam mbajtur shënime për ngjarjet, përfshirë dhe protagonistët e lëvizjes e të deleguarit e Ramiz Alisë të ngarkuar në shërbim të asaj lëvizjeje. Në librin “Kur tradhtohej socializmi” i botuar më 2010, jam shprehur në këndvështrimin tim për lëvizjen në fjalë. Për atë lëvizje është shkruar e folur shumë në shtyp e në televizione, janë thënë gjëra të qenë e të paqena, të vërteta e gënjeshtra, janë angazhuar njerëz që kanë pasur dijeni e përgjegjësi, po edhe njerëz që mund t’u thuash gënjeshtarë. Një abuzim i madh po ndodh dhe në debatin e këtyre ditëve, në të cilin janë përfshirë “trima pas betejës”, duke shtrembëruar të vërtetën, tani që vdiq Ramiz Alia e protagonistë të tjerë të atyre ngjarjeve, të cilët i kontribuuan përmbysjes së socializmit në Shqipëri.

Megjithatë për t’u kthyer në thelb të pyetjes suaj, theksoj se Sali Berisha është masha e Ramiz Alisë. Berishën e ka vënë Ramiz Alia. Ramiz Alia kishte besim se do ta ndryshonte sistemin duke vënë në krye të PD-së Berishën. Ndryshe nuk do ta thërriste në shtëpi vetëm e të vetëm për ta udhëzuar. Sa të jetë Sali Ram Berisha në krye të PD-se, socialistët mbeten në pushtet. Dredhave të Berishës, u ka dalë boja. Berisha në periudhën pas rrëzimit të rendit socialist në Shqipëri ka luajtur rol vetëm në shërbim të Ramiz Alisë. Rendin socialist e përmbysi Ramiz Alia, jo Sali Berisha. Si vegël e Ramiz Alisë, Berisha bëri ato që i tha Ramiz Alia. Berisha ishte i zgjedhuri i Ramiz Alisë. Këtë nuk e kuptojnë bashkëpunëtorët e fashizmit, burgaxhinjtë dhe super të pasurit e vendit.

– Si gjithmonë jeni shterues, por lejoni të shtroj pyetjen drejtpërdrejt: A mund të themi se lëvizja e dhjetorit ’90 ishte një manovër e organizuar nga PPSH dhe Ramiz Alia?

Absolutisht po! Lëvizja studentore ’90 nuk erdhi si diçka e beftë, ajo është paraprirë nga të tjera ngjarje, të cilat nisën pas rënies së Murit të Berlinit në fund të vitit 1989. Jam i sigurt që shumë njerëz, intelektualë sidomos, nuk i kanë harruar artikujt e botuar në “Zërin e Popullit”, intervistat në “Zërin e Amerikës”, debatet për idetë e shprehura në to dhe bartësit e tyre, etj. Pse, a nuk i dinte këto zhvillime “të reja” udhëheqja e lartë e Partisë dhe Ramiz Alia, të cilat binin ndesh me vijën politike zyrtare të socializmit?! Të gjitha diheshin, po Ramizi i toleronte dhe i nxiste sa mundej “duke hedhur gurin e fshehur dorën”! Padyshim, ajo që po ndodhte ishte një tatim pulsi dhe njëherësh përgatitje për veprime të tjera në formën e protestave, demonstratave e konflikteve politiko-shoqërore, të cilat, pas futjes së familjes Popa në ambasadën e Italisë, ngjarjes së ambasadave më 2 korrik 1990, eksodit të shqiptarëve drejt vendeve perëndimore e të tjera, nuk do të vononin të dilnin në forma më të ashpra, në dhjetor të vitit 1990 e më pas. Saktë, ato nisën pasditen e 8 dhjetorit të atij viti me demonstratën e studentëve në qytetin “Studenti”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related