BIRN: Kryetarja e Kuvendit refuzon opinionin e Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës

Data

Pasi investoi për tre muaj Komisionin e Venecias në një opinion ligjor mbi të drejtën ose jo të deputetëve për të rrëzuar me votë zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali refuzoi të martën që ta pranojë vendimin e Venecias përmes një interpretimi të gënjeshtërt të opinionit si në favor të qëndrimit të mazhorancës për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në një reagim për mediat pas publikimit të opinionit, Spiropali tha: “besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit”.

Më tej Spiropali këmbëngul: “Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë”.

Në opinionin e publikuar të martën, Komisioni i Venecias rithekson normën e gjithëditur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

“Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në kuadrin e kompetencave që i jep Kushtetuta. Në këtë dritë, pyetjet 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje e lirisë së mandatit, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet në pikën 22 të opinionit të Komisionit të Venecias.

“Për shkak se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, njihen nga kushtetuta si detyruese, të gjitha autoritetet janë të detyruara të respektojnë këto vendime dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë efektive”, shtihet në opinion.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigjen pyetjes së BIRN se kur do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që detyron Kuvendin të dërgojë pranë kësaj gjykate mocionin për mandatin e deputetes Xhaçka.

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës e quajtën ‘dezinformim’ deklaratën e Spiropalit dhe i kërkuan asaj që të zbatojë pa vonesë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related