Kryeministri Edi Rama ka vijuar përplasjen publike me gazetarin Blendi Fevziu, duke i quajtur akuzat e tij për udhëtimet e ministrave si të pabazuara dhe pa asnjë fakt konkret. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama e akuzon Fevziun se po sillet me “muhabete kafeneje”, duke përmendur raste sporadike pa prova dhe duke shmangur përgjegjësinë ndaj publikut.
Sipas kryeministrit, gazetari ka fabrikuar një akuzë, të cilën e cilëson hapur si shpifje, dhe më pas ka zgjedhur të mos i përgjigjet më çështjes, në vend që t’u kërkojë ndjesë shikuesve. Rama thekson se pretendimet për udhëtime private të ministrave në fundjavë nuk janë shoqëruar me asnjë fakt apo dokument që t’i mbështesë.
Kreu i qeverisë kritikon ashpër edhe mënyrën e zhvillimit të debateve televizive, duke thënë se në vend të diskutimit racional, emisionet shndërrohen në kacafytje, britma dhe ndërprerje të vazhdueshme, ku askush nuk arrin të dëgjohet. Ai akuzon moderatorin se nxit konfliktin dhe nuk vendos rregulla, etikë apo barazi në trajtimin e të ftuarve.
Rama i përgjigjet gjithashtu kritikave për video-inspektimet e ministrave, të cilat Fevziu i ka cilësuar si jashtë standardeve demokratike. Kryeministri sfidon gazetarin të tregojë një rast konkret në botë ku debatet politike zhvillohen në kushte kaosi, zhurme dhe mungese totale rregullash, siç ndodh sipas tij në disa studio televizive shqiptare.
Në përfundim, Rama shprehet se qeveria nuk shmang median, por refuzon të marrë pjesë në emisione që, sipas tij, nuk informojnë qytetarët, por i keqinformojnë dhe i “helmojnë” me sherr politik. Ai nënvizon se pa vendosur standarde profesionale dhe etike në media, askush nuk mund të kërkojë llogari për standarde demokratike nga të tjerët.
