Politologu Ermal Hasimja i ka cilësuar ndryshimet e fundit në qeveri si shenjë dobësie politike të kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar idenë se shumica prej 83 mandatesh në Kuvend e bën atë të fortë.
Në një reagim publik, Hasimja renditi 11 arsye pse, sipas tij, kryeministri ka vepruar nën presion të brendshëm dhe ndërkombëtar. Ai argumenton se riformatimi i kabinetit vetëm gjashtë muaj pas krijimit të tij tregon trysni të fortë politike.
Sipas analizës së tij, Rama nuk arriti të shmangte presionet e brendshme, përfshirë raportin me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si dhe tensionet brenda mazhorancës. Hasimja përmendi gjithashtu hetimet e SPAK ndaj disa figurave të afërta me qeverinë, si faktor shtesë presioni.
Ai theksoi se situata në infrastrukturë, protestat dhe debatet publike kanë dëmtuar perceptimin për funksionalitetin e qeverisë, duke shtuar se lëvizjet e fundit nuk e forcojnë, por e ekspozojnë më tej pozitën e kryeministrit.
