Kushtet atmosferike gjatë ditës së sotme do të paraqiten relativisht të paqëndrueshme në të gjithë territorin. Parashikohet prani e vranësirave mesatare deri të dendura, të shoqëruara me kthjellime të herëpashershme, kryesisht në orët e para të ditës.
Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të mëngjesit me intensitet të ulët, ndërsa gjatë ditës do të mbeten kryesisht në zonat malore të veriut. Në orët e mbrëmjes vonë, reshjet pritet të riaktivizohen në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët deri mesatar.
Në vijën bregdetare dhe në Ultësirën Perëndimore, reshjet do të jenë të përkohshme dhe në mënyrë të izoluar mund të shfaqen në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Në zonat e Alpeve, në verilindje, lindje dhe juglindje të vendit, në lartësitë mbi 800–900 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në relievet malore mbi 1800 metra, reshjet do të shfaqen në formën e stuhive të dëborës.
Era do të fryjë nga juglindja drejt jugperëndimit me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore shpejtësia mund të arrijë deri në 19 m/s. Deti do të paraqitet me valëzim 4–5 ballë.
