Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Mundësia, Barbara Doda, ka reaguar ashpër për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se ajo duhej të kishte dhënë dorëheqjen që në momentin e parë kur u vu nën hetim.
Në një intervistë televizive, Doda u shpreh se çështja nuk duhej të kishte përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe se mbajtja e funksionit nga Balluku përbën një problem serioz moral dhe institucional.
“Ne kemi një zëvendëskryeministre, e dyta në hierarkinë e qeverisë, e cila është nën akuzë për korrupsion me miliona euro. Jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por përdor çdo mekanizëm për të mbajtur karrigen. Në asnjë vend normal kjo nuk do të ndodhte. Dorëheqja duhej të ishte dhënë që ditën e parë të hetimit”, u shpreh Doda.
Sipas saj, mazhoranca po mban peng shtetin duke mbrojtur politikisht zyrtarë të akuzuar nga drejtësia. Ajo theksoi se Partia Mundësia ka nisur një fushatë për mbledhjen e 100 mijë firmave në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
“Mbledhja e firmave është një formë proteste qytetare. Ne jemi me drejtësinë dhe do të vazhdojmë të jemi. E vetmja mënyrë që Shqipëria të ndryshojë është përmes drejtësisë”, tha ajo.
Doda u shpreh se për herë të parë drejtësia po heton politikanë që më parë konsideroheshin të paprekshëm, duke përmendur raste konkrete të zyrtarëve të lartë nën hetim.
Ajo komentoi gjithashtu situatën e infrastrukturës, duke u ndalur te aksi Qukës–Qafë Plloçë, ku sipas saj janë konstatuar çarje të mbuluara në mënyrë primitive me bitum, çka sipas Dodës është pasojë direkte e korrupsionit dhe jo thjesht papërgjegjshmëri.
Në fund, Doda tha se qytetarët kanë humbur besimin te politika dhe veçanërisht te opozita, duke theksuar se ndryshimi kërkon kohë, besim dhe një qasje krejtësisht të ndryshme nga ajo e qeverisjes aktuale.
“Nuk mund të jemi njëkohësisht me drejtësinë dhe me të korruptuarit. Duhet të zgjedhim”, përfundoi ajo.
