Rama del, Balluku mbetet! Kryeministri largohet nga Kryeministria, zv/kryeministrja nën hetim vijon të qëndrojë në godinë

Data

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama është larguar nga ambientet e Kryeministrisë, ndërsa zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka qëndruar ende brenda godinës qeveritare.

Burime nga Kryeministria bëjnë me dije se Rama u largua rreth një orë pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit, ndërkohë që Balluku vijon të jetë e pranishme në ambientet e qeverisë, ku ndodhet edhe zyra e saj zyrtare.

Qëndrimi i Belinda Ballukut në Kryeministri vjen në një moment të tensionuar politik dhe institucional, pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj, duke i hapur rrugë masave të mundshme të sigurisë, përfshirë arrestimin.

Në të njëjtën kohë, në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizimin e procedimeve të mëtejshme ndaj zv/kryeministres. Ky zhvillim ka rritur vëmendjen publike mbi çdo lëvizje të aktorëve kryesorë të përfshirë në këtë çështje.

Pas largimit të anëtarëve të tjerë të kabinetit, kryeministri qëndroi edhe për një periudhë kohe në Kryeministri së bashku me Ballukun, përpara se të largohej. Ndërkohë, zëvendëskryeministrja vijon qëndrimin e saj në godinën qeveritare, në pritje të vendimeve që pritet të merren nga Kuvendi.

Situata mbetet në zhvillim, ndërsa vendimet e institucioneve pritet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm në një nga çështjet më të ndjeshme politike dhe ligjore të ditës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related