Rreth 17 persona janë shoqëruar nga policia pas tensioneve të shënuara mbrëmjen e djeshme gjatë protestës së opozitës në Tiranë. Sipas autoriteteve, të shoqëruarit dyshohet se kanë hedhur molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe më pas pranë Parlamentit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 21 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike dhe përplasjes me forcat e rendit. Të lënduarit kanë pësuar djegie dhe dëmtime të ndryshme fizike, duke marrë trajtim mjekësor në spital.
Mes të lënduarve është raportuar edhe deputeti Bledion Nallbati, i cili ka deklaruar se ka pësuar dëmtime gjatë përplasjes me policinë dhe si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës.
Protesta kishte nisur në mënyrë paqësore rreth orës 17:00, ku disa përfaqësues të Partisë Demokratike mbajtën fjalime, përfshirë edhe kryetarin e saj, Sali Berisha. Situata u tensionua pas përfundimit të fjalimit, kur një pjesë e protestuesve hodhën molotovë drejt Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Parlamentit, ku pati përplasje të reja me policinë.
Autoritetet vijojnë verifikimet për identifikimin e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme.
