Drejtor Ekzekutiv i Qendrës “ALERT”, Granit Sokolaj, sulmoi dje indirekt kreun e Autoritet Kombëtarë të Ushqimit, Olsi Komici, ndërsa u shpreh se autoritetet e AKU-së kanë dështuar në mënyrën se si menaxhojnë informacionet dhe komunikojnë me publikun, duke lënë një vakum të madh në transparencë. Teksa ishte i ftuara dje në një media, Sokolaj theksoi se, edhe pse lajmet për mishin e infektuar me salmonelë janë publikuar nga vetë institucionet, është e qartë se AKU ka dështuar të ofrojë një informacion të plotë dhe të qartë për masat që po merren dhe rreziqet që mund të paraqiten. Ai theksoi se mungesa e një komunikimi të mirëfilltë dhe të shterueshëm nga ana e AKU-së ka krijuar një situatë ku shumë njerëz janë të pasigurt dhe të paqartë për atë që ndodh me sigurinë ushqimore.
Sipas tij, autoritetet duhet të jenë shumë më të hapura dhe të komunikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të siguruar besimin e publikut. “Situata është më e mirë kur lajmi publikohet nga vetë autoritetet. Nëse lajmi do të ishte publikuar nga mediat, edhe me këtë panik që shkaktohet, do të ishte më e frikshme dhe diçka mund të fshihej. Kur e publikon autoriteti, tregon se diçka është më mirë, por ajo çfarë i mungon atij autoriteti, pra konkretisht AKU-së, është komunikimi i mirëfilltë dhe shterues i rrezikut, si dhe guximi për të dalë para publikut dhe për të sqaruar çdo situatë të mundshme, si rasti konkret. Kur mora ftesën, sikurse kam parë kur kam publikuar lajmin, nuk është i ditëve të fundit; është fund-janari ose fillimi i shkurtit, të dyja rastet, dmth, mishi nga Brazili i derrit me salmonelë dhe ai nga Kroacia.
Mora disa informacione shtesë për t’u siguruar, sepse pashë edhe një farë paniku që ishte përhapur në media dhe më duhet të sqaroj dy gjëra, por kryesorja është se ajo që i mungon AKU-së është komunikimi i rrezikut. Mishi me salmonelë është marrë në pikë, me sa informacione kam unë, pa u futur në Shqipëri në pikën e inspektimit kufitar të Durrësit, sasia është diku te rreth 7 ton, aq sa mban një kontejner me mish, sepse nuk vijnë me sasi të vogla. Në dijeninë time, është marrë sipas planit dhe nuk ka qenë rastësi që ka dalë pastaj mostër me salmonelë”, deklaroi dje Sokolaj.
