Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, ka denoncuar dje deputeten e PS-së, Klotilda Bushka, për lidhjet e saj të dyshimta me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe përdorimin e detyrës si kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për të shkëmbyer favore. “Klotilda Bushka është një ndër hallkat kryesore të zinxhirit korruptiv që përfshin Veliajn dhe shoqatat e tij”, ka deklaruar Këlliçi. “Nga bisedat e publikuara ditën e djeshme, që datojnë në periudhën nëntor 2023 – janar 2024, rezulton se Klotilda Bushka, përdor jo vetëm restorante luksoze, por edhe zyrën private të familjarëve të Veliajt dhe aplikacione të sigurta si Telegram, për të bërë biseda dhe pazare në shkelje të ligjit, duke shpërdoruar detyrën. Në këto biseda, Bushka i ofron ish kreut të KLGJ Llagami, mbështetje për zgjedhjen e saj në Gjykatën Kushtetuese, kur kësaj të fundit t’i mbarojë mandati në KLGJ.
Në këmbim të ndihmës që Bushka kërkonte nga ata që kishin shqyrtimin e dosjeve hetimore në Apelin e GJKKO-së, ofronte emërimet në Kuvend dhe vijimin e karrierës në sistemin e ‘drejtësisë së re’. Kur, siç shprehet në bisedat e bëra mediatike, Llagami e kupton se Bushka po e gënjen, ajo vetë pranon edhe se Veliajn nuk e zë viti, duke paralajmëruar kështu burgosjen e kryebashkiakut të Tiranës. Bisedat, shkëmbimet dhe tratativat e Bushkës dhe njerëzve të saj me drejtuesit e sistemit të drejtësisë, nuk janë më shumë se pazare kriminale në kurriz të ligjit dhe qytetarëve”, shprehet Këlliçi. Këlliçi ka akuzuar gjithashtu Bushkën për ndërhyrje në hetimet e SPAK, duke shkatërruar prova dhe orientuar dëshmitarët për të mbrojtur Veliajn. “Ajo ka penguar zbulimin e së vërtetës dhe ka ndihmuar në fshehjen e provave, duke shkatërruar çdo mundësi të pavarësisë së institucioneve”, ka thënë ai.
