Këshilli i Ministrave miratoi bashkëpropozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Ministrisë së Shtetit për Pushtetit Vendor, duke ia përcjellë Kuvendit, për Projektligjin e “Paketës së Maleve”.
Kjo nismë është një ftesë për gjithë diasporën, por edhe për qytetarët shqiptarë, për të investuar në tokat e gjyshërve të tyre duke i kthyer malet e Shqipërisë në destinacionin kryesor të turizmit malor në Ballkan.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke prezantuar nismën pas mbledhjes së qeverisë tha se miratimi i kësaj pakete nxit kthimin e shumë shqiptarëve nga jashtë vendit.
“Miratuam sot në qeveri projektligjin që ne e quajmë “Paketa e Malit”, që mua do të më pëlqente ta quaja një nismë për ekonominë e maleve, që është një nismë që sjell një qasje alternative për të ndihmuar që ekonomia malore që ka ngelur pas ekonomisë të zonave urbane dhe zonave bregdetare të mund ta nxisim e ta shohim me përparësi duke shkuar më thellë në zonat rurale që kanë një potencial zhvillimi.
Gjithashtu do të lehtësonim dhe të nxisnim që të kishim edhe diasporën dhe kthimin e shumë shqiptarëve, për t’u kthyer në tokat e të parëve edhe nga jashtë vendit ku ata mund të jenë sot, për të zhvilluar projekte që më pas ne do të bënim të mundur që t’i ndihmonim që të kishin një ecuri më të shpejtë miratimi dhe zbatimi të këtyre investimeve në zona që ne do t’i shpallim zona me përparësi dhe me një nevojë prioritare për një zhvillim ekonomik të mbështetur nga këto instumente që ne propozojmë me këtë projektligj”, tha Gonxhja.
Ndërsa ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se, “ky projektligj sjell një qasje për të rritur mundësitë dhe lehtësuar procedurat fiskale për të ndihmuar që ekonominë malore, që në vitet e fundit ka mbetur pas, ekonomisë së zonave urbane dhe bregdetare, të mund ta nxisim dhe fuqizojmë duke shkuar më thellë zonave rurale”.
“Malet mbeten burime të mëdha të mjedisit, burim i nënpërdorur. Paketa krijon një sinergji mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor për zhvillimin turistik të gjithë maleve. Kjo paketë krijon mekanizma që bashkitë të propozojnë zona për zhvillim malor dhe përfitojnë me ligj përparësi duke filluar nga lehtësira fiskale, zgjidhin probleme me pronësinë dhe thjeshtojnë lejet për këto zhvillim”, tha Mazniku.
Ai i bëri apel diasporës dhe investitorëve të shohin me përparësi sipërmarrjen në këto zona. “Qytetarët, investitorët, diaspora të orientojnë qëndrimin drejt maleve. Do t’i japë zhvillim maleve”, tha Mazniku.
