Ministritë dhe bashkitë me 5.8 miliardë lekë detyrime, investimet e papaguara ndaj privatëve dhe vendimet gjyqësore rëndojnë buxhetin

Data

Ministritë dhe bashkitë në Shqipëri vijojnë të kenë detyrime të prapambetura ndaj sektorit privat dhe punonjësve të administratës, edhe pse niveli i borxheve ka pësuar një ulje gjatë vitit të fundit.

Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave, detyrimet e pushtetit qendror dhe atij vendor arritën në 5.8 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga rreth 7.3 miliardë lekë që ishin në vitin 2024. Kjo do të thotë se borxhet janë ulur me rreth 1.4 miliardë lekë.

Pushteti qendror ka rreth 1.5 miliardë lekë detyrime, ku pjesa më e madhe lidhet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, bashkitë kanë rreth 2.9 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Lista e institucioneve me borxhe më të larta kryesohet nga bashkitë Kavajë dhe Tiranë, të ndjekura nga Pogradeci, Vora dhe Rrogozhina.

Raporti evidenton se investimet e papaguara janë një nga arsyet kryesore për krijimin e detyrimeve. Rreth 1.6 miliardë lekë janë borxhe për investime të kryera nga kompani private që ende nuk janë likuiduar nga institucionet shtetërore. Kjo situatë është më e theksuar te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Bujqësisë, ndërsa në nivel vendor dominojnë në bashkinë Vorë.

Një tjetër kategori e rëndësishme e detyrimeve lidhet me vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna në administratë. Për këtë kategori janë regjistruar rreth 712 milionë lekë detyrime, kryesisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Për shkak të situatës më problematike në pushtetin vendor, qeveria në fund të vitit të kaluar akordoi rreth 1.2 miliardë lekë për të ndihmuar në shlyerjen e një pjese të borxheve të bashkive.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related