Media britanike “The Mirror” ka raportuar se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, dyshohet se është plagosur gjatë sulmeve ajrore të para të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit dhe është dërguar për trajtim në Moskë.
Sipas raportimeve, Khamenei thuhet se është plagosur në këmbë gjatë sulmeve të 28 shkurtit dhe më pas është transportuar me një avion ushtarak rus drejt Rusisë për t’iu nënshtruar një operacioni.
Gazeta kuvajtiane “Al-Jarida” citon një burim të lartë pranë udhëheqjes iraniane, sipas të cilit operacioni është kryer në një strukturë të specializuar në Moskë, ndërsa ndihma mjekësore thuhet se është ofruar personalisht nga presidenti rus Vladimir Putin.
Raportet për shëndetin e liderit iranian kanë qenë objekt spekulimesh gjatë ditëve të fundit. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk është e qartë nëse Khamenei është gjallë apo jo, duke theksuar se nuk ka pasur shfaqje publike të tij që nga emërimi.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se Khamenei është “plotësisht i shëndetshëm” dhe se po e menaxhon situatën në vend.
Ndërkohë, sipas disa vlerësimeve të publikuara në media, lideri iranian mund të jetë plagosur gjatë sulmeve të para të luftës, të cilat, sipas raportimeve, shkaktuan edhe vdekjen e disa figurave të rëndësishme të udhëheqjes iraniane.
Pas vdekjes së Ajatollah Ali Khamenei, Mojtaba Khamenei ka deklaruar se Irani do të hakmerret për viktimat e konfliktit dhe do të vazhdojë veprimet kundër SHBA-së dhe Izraelit.
