Ja çfarë pritet të diskutohet në takimin e parë të kabinetit për vitin 2026
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot kabinetin qeveritar në Pallatin e Brigadave, në takimin e parë të qeverisë për vitin 2026. Sipas burimeve, mbledhja do të fokusohet te objektivat dhe prioritetet kryesore të qeverisë për këtë vit, si dhe te drejtimi strategjik i punës për muajt në vijim.
Megjithatë, ministrat shkojnë në këtë takim në një klimë ankthi dhe pasigurie. Burime nga brenda kabinetit bëjnë me dije se nuk ka një axhendë të qartë paraprake dhe se nuk dihet nëse kryeministri do të japë udhëzime konkrete, do të rishikojë prioritetet apo do të adresojë çështje të ndjeshme politike dhe institucionale.
Takimi pritet të shërbejë për një analizë të projekteve dhe reformave që qeveria synon të çojë përpara gjatë vitit 2026, por mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshime në fokusin e punës apo sinjale për riorganizime brenda kabinetit.
Një javë më pas, më 16 janar, Rama pritet të mbledhë edhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, në nisje të sesionit të ri parlamentar, për koordinimin e punës në Kuvend dhe përcaktimin e linjës politike për muajt në vijim.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka zhvilluar ditën e djeshme mbledhjen e parë për vitin 2026 me drejtuesit politikë të qarqeve. Në takim morën pjesë figura të rëndësishme të mazhorancës, ndërsa kryeministri mungoi për shkak se ndodhej jashtë vendit dhe pritej të kthehej sot për mbledhjen e qeverisë.
Takim në një moment tensioni për qeverinë
Mbledhja e sotme zhvillohet në një periudhë delikate për qeverinë, e cila prej muajsh përballet me skandale dhe hetime penale ndaj zyrtarëve të lartë. Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar veprimet, duke vënë nën hetim ministra dhe drejtues institucionesh për dyshime mbi tenderë dhe projekte infrastrukturore me vlera të mëdha financiare.
Këto zhvillime kanë shtuar dyshimet mbi administrimin e fondeve publike dhe kanë rritur presionin politik ndaj qeverisë. Opozita flet për korrupsion të institucionalizuar dhe kërkon përgjegjësi politike nga kryeministri.
Në këtë kontekst, takimi me ministrat shihet më shumë si një përpjekje për të mbajtur nën kontroll kabinetin dhe për të ruajtur unitetin politik, sesa si një akt reflektimi apo transparence. Gjatë konferencës së fundvitit, Rama doli publikisht në mbrojtje të zyrtarëve nën hetim, duke theksuar se hetimi nuk nënkupton fajësi, ndërsa shmangu çdo përgjegjësi politike.
Sipas analistëve, mungesa e masave konkrete dhe mbështetja publike ndaj zyrtarëve të dyshuar rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve te qeverisja dhe te reforma në drejtësi. Takimi i sotëm pritet të shërbejë për konsolidimin politik të kabinetit, por në kushtet e hetimeve në vijim, uniteti i mazhorancës mbetet i brishtë.
