Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka LIVE”, ka hedhur akuza të forta lidhur me aferën e Ekoparkut dhe skandalin McGonigal, duke deklaruar se përgjegjësia reale nuk është aty ku po orientohet hetimi.
Sipas Ahmetajt, drejtësia po përpiqet t’ia atribuojë aferën e Ekoparkut ish-ministrit Lefter Koka, ndërkohë që, sipas tij, projekti është iniciuar dhe urdhëruar nga vetë kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se Koka nuk ishte më ministër prej dy vitesh në momentin kur është firmosur kjo aferë.
“Ekoparku është bërë dy vite pasi Lefter Koka kishte ikur nga detyra. Ka dokument publik ku urdhërohet prokurimi i drejtpërdrejtë. Ekoparkun e ka bërë Edi Rama”, deklaroi Ahmetaj.
Ai shtoi se projekti është realizuar pa tender dhe se personi që ka firmosur nuk ka qenë ministri, por zëvendësi i tij në atë kohë, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia reale është më lart në hierarki.
Ahmetaj pretendoi gjithashtu se familjarë të kryeministrit kanë qenë të përfshirë në projektim dhe janë paguar nga inceneratorët, duke e cilësuar këtë si konflikt të hapur interesi.
“Nëse këtë gjë do ta kishte bërë fëmija im, reagimi do të ishte brutal. Këtu po heshtet sepse përgjegjësia shkon te kreu i qeverisë”, u shpreh ai.
Akuza për presion dhe intimidim
Në intervistë, Ahmetaj foli edhe për presione dhe kërcënime ndaj personave të përfshirë në dosje, duke deklaruar se disa prej tyre mbahen nën frikë për të mos folur.
“Ja kanë ngjitur Ekoparkun Terit dhe e kërcënojnë që të mos flasë. Qëllimi është i qartë: heshtja”, tha ai.
Skandali McGonigal
Duke u ndalur te rasti McGonigal, Ahmetaj e cilësoi atë si një nga skandalet më të rënda që prek marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara.
“Rasti McGonigal është alarmant. Kemi të bëjmë me korruptimin e një agjenti të lartë të shërbimeve të partnerit tonë strategjik. Në këtë aferë është mbështetur një oligark rus”, deklaroi ai.
Ahmetaj shtoi se ky rast nuk duhet relativizuar apo minimizuar, pasi ka implikime serioze për sigurinë dhe reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Në përfundim, ish-zëvendëskryeministri kërkoi hetim real dhe të paanshëm, duke theksuar se sipas tij drejtësia po shmang thelbin e aferave dhe po godet hallkat më të dobëta, ndërsa përgjegjësit kryesorë mbeten të paprekur.
