Në vitin 2022 Altin Basha u emërua me vendim të Këshillit të Ministrave drejtor i Teatrit Kombëtar. Në këto dy vite punë, duket se ai është siguruar që jo vetëm t’i japë teatrit, por edhe të marrë nga pak. Si përshembull në rastin e shfaqjes “Vojçek”, e miratuar nga bordi artistik në mars të vitit 2023, me regji të japonezit Kuniaki Ida. Për këtë shfaqje Altin Basha ka punësuar si skeongrafe dhe kostumografe bashkëshorten e tij, Iliriana Basha.
Ky është një konflikt i hapur interesi, por çifti artistëve janë kamufluar në mënyrën më të mundshme, sepse sipas dokumentave, Iliriana Basha nuk ka marrë asnjë pagesë për punën e saj, me pak fjalë ka bërë punë vullnetare. Mirëpo, në dosjen e shfaqjes më tej rezulton se zonja Iliriana ka kërkuar 12 milionë lekë për kostumet e aktorëve, edhe pse teatri ka një garderobë që mund të përdorej.
Por kostumografja duket se nuk ka përdorur asgjë nga garderoba dhe si përfundim veshjet e aktorëve janë paguar gati 11 milionë lekë. Por çudia më e madhe qëndron tek çmimet e veshjeve. Për pardesytë e aktorëve meshkuj janë paguar 500 mijë lekë, ndërsa për fustanet e aktoreve janë dhënë në disa raste nga 270 mijë lekë.
Njëri nga bashkëpunëtorët e çiftit Basha, rrobaqepësi Musa Fisniku, tha se ka punuar veshjet për shfaqjen në fjalë dhe se për një pardesy që Teatri Kombëtar ka paguar 500 mijë lekë, ai ua la “Piranjave” për 200 mijë lekë. Por nuk mbaron me kaq. Për këtë shfaqje, Altin Basha ka punësuar edhe dy persona nga rrethi i tij i të besuarve, si Ervis Saliasin dhe Benada Shutën. Këta dy persona kanë punuar për emisionin “Fustanella” të Altin Bashës, i pari si moderator dhe e dyta skenariste.
Benada Shuta është punësuar në shfaqjen “Vojçek” si make up artist (grimiere), por ndërkohë Shpresa Vasili, ish-grimiere e Teatrit Kombëtar, që tashmë ka dalë në pension tha për “Piranjat” se grimin tek kjo shfaqje e ka bërë e vetme. Po ashtu Benada Shuta ka dhe një aktivitet të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku shkruhet se vepron në këto fusha si skenariste, asistent regjisore, organizatore dhe producente ekzekutive, pra askund nuk shfaqet si make up artist. Por pavaresisht kësaj, ajo ka marrë katër milionë lekë si grimiere e shfaqjes “Vojçek”.
