Pas viteve heshtje që nga ngjarja e bujshme në Porto Palermo, Mihal Kokëdhima ka dhënë versionin e tij të asaj që ndodhi, duke hedhur akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore dhe kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë televizive, Kokëdhima deklaroi se u burgos “me urdhër nga lart” pas incidentit me turistët spanjollë, ndërsa këmbënguli se veprimi i tij erdhi pasi, sipas tij, po rrezikohej nga automjeti që nuk ndalonte.
Ai rrëfeu gjithashtu se biznesi i tij në Porto Palermo, të cilin e cilësoi si një nga më të suksesshmit në zonë, u shkatërrua padrejtësisht nga autoritetet. Sipas Kokëdhimës, lokali frekuentohej nga turistë të huaj, biznesmenë të njohur dhe madje edhe nga familjarë të kryeministrit.
Gjatë intervistës, ai publikoi edhe një fotografi që, sipas tij, dëshmon marrëdhëniet e mëparshme me familjarë të Ramës, duke pretenduar se kishte ofruar shërbime turistike dhe mikpritje për ta.
Kokëdhima kritikoi ashpër edhe sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se u dënua më rëndë sesa kishte kërkuar prokuroria. Ai akuzoi qeverinë për shkatërrimin e biznesit dhe familjes së tij, ndërsa përdori tone të forta ndaj kryeministrit, duke e cilësuar atë si përgjegjës për situatën që, sipas tij, përjetoi pas ngjarjes.
Në deklaratat e tij, Kokëdhima tha se ndihet i tradhtuar nga institucionet dhe se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për atë që e konsideron një padrejtësi të rëndë ndaj tij dhe familjes së tij.
