Mesfushori i Kombëtares u largua me barelë dhe lot, presidenti i Leçes qetëson: Dyshohet për dëmtim muskulor

Data

Momente ankthi për Medon Berishën gjatë ndeshjes së djeshme mes Leçes dhe Pizës, teksa mesfushori i Kombëtares shqiptare u detyrua të lërë fushën që në minutën e 8-të, i dëmtuar dhe me lot në sy, duke u transportuar me barelë.

Pas përfundimit të sfidës së fituar nga Leçe në Serinë A, presidenti i klubit, Stiki Damiani, dha informacionet e para lidhur me gjendjen e futbollistit, duke sjellë një notë optimizmi.

“Kanë mbërritur disa lajme të para dhe duket se bëhet fjalë për një problem muskulor, por duhet të presim ekzaminimet e plota. Shpresojmë të mos jetë asgjë serioze”, u shpreh Damiani.

Medon Berisha ka qenë një nga lojtarët më në formë të Leçes këtë sezon, duke u shndërruar në titullar të padiskutueshëm në mesfushë. Performancat e tij kanë qenë mbresëlënëse, teksa ka fituar tre herë çmimin “Lojtari i Ndeshjes” në Serinë A, duke tërhequr vëmendje edhe jashtë Italisë.

Tashmë pritet përgjigjja përfundimtare e stafit mjekësor, ndërsa tifozët dhe Kombëtarja shpresojnë që dëmtimi të mos jetë i rëndë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related