Është identifikuar 54-vjeçari shqiptar i arrestuar pasditen e djeshme në Igumenicë, në tentativë për të futur një sasi të konsiderueshme droge në territorin grek. Bëhet fjalë për shtetasin Bujar Xhibo, banues në Delvinë, person me precedentë penalë në Shqipëri.
Sipas autoriteteve greke, 54-vjeçari u ndalua në zonën Rajo të Igumenicës, teksa po transportonte me automjetin e tij tre çanta që përmbanin 51 pako me gjithsej 74 kg e 804 gramë marijuanë. Lënda narkotike dyshohet se ishte marrë në kufirin e gjelbër dhe po futej në brendësi të territorit grek.
Gjatë kontrollit, policia greke sekuestroi drogën, automjetin e përdorur për transport, si dhe një telefon celular që i përkiste të dyshuarit.
Sipas të dhënave zyrtare, prej muajit shtator autoritetet greke kanë sekuestruar rreth 775 kilogramë marijuanë që dyshohet se vinin nga Shqipëria. Rastet janë evidentuar kryesisht në Igumenicë, në rrugë tokësore dhe detare, si dhe në Janinë, Selanik dhe Kostur.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa 54-vjeçari pritet të dalë përpara autoriteteve gjyqësore greke.
