Mes flakadanëve dhe përplasjeve, Peleshi: Shteti mbi partinë

Data

Tiranë – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar pas tensioneve dhe kaosit të shënuar gjatë seancës plenare të ditës së sotme (18 dhjetor), duke bërë thirrje për bashkëpunim, dialog dhe respekt ndaj institucioneve.

Në një postim në rrjetet sociale, Peleshi thekson se detyrimi i deputetëve nuk është krijimi i kaosit, por bashkëpunimi për zgjidhje në të mirë të vendit, duke nënvizuar se mbi çdo interes politik qëndron interesi i shtetit.

“Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos”, shkruan kreu i Kuvendit.

“Kuvendi nuk është arenë për beteja partiake”

Peleshi thekson se Kuvendi nuk është thjesht një vend debatesh politike, por institucioni ku fjala dhe sjellja e deputetëve duhet të pasqyrojnë përgjegjësi, etikë dhe respekt ndaj qytetarëve.

“Çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cënon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve”, thekson ai.

Sipas Peleshit, institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët dhe nuk duhet të shndërrohen në skena për përplasje personale apo partiake.

“Askush nuk përfaqëson i vetëm të vërtetën”

Në reagimin e tij, kryeparlamentari thekson se asnjë forcë politike nuk ka monopolin e së vërtetës dhe se ndarjet partiake nuk duhet të errësojnë misionin e përbashkët për t’i shërbyer qytetarëve.

“Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën. Të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë”, shprehet Peleshi.

Ai nënvizon se vetëm duke vendosur shtetin mbi partinë, mund të ndërtohet një Shqipëri më e fortë për brezat që vijnë.

Falënderim për Gardën e Republikës

Në fund të mesazhit, Peleshi shpreh mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë e treguar gjatë situatës së tensionuar.

“Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët”, përfundon kryeparlamentari.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related