“Teatër turpi me fondet e Europës” – Rama sulmon drejtësinë ndërkombëtare për gjyqin e UÇK-së

Data

Hagë – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër nga Haga pas vizitës që zhvilloi me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet prej më shumë se 5 vitesh në paraburgim, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një postim të gjatë dhe emocional në rrjetet sociale, Rama e cilësoi gjykatën speciale si një “teatër turpi të drejtësisë ndërkombëtare”, duke e përshkruar arrestimin e Thaçit si një rrëmbim pa gjyq dhe pa akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.

“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës”, shkruan Rama.

“UÇK nuk e përdhos dot asnjë farsë”

Kryeministri shqiptar thekson se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të njolloset, duke e quajtur procesin gjyqësor një farsë të nisur nga akuza për trafik organesh, të cilat ai i lidh drejtpërdrejt me ndikime ruse në institucionet europiane.

“Luftën Çlirimtare të Kosovës nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me absurditete e dëshmitarë groteskë në Hagë”, shprehet Rama.

Takimi me Thaçin: “I qetë, i buzëqeshur, me karakter të hekurt”

Rama tregon se gjatë takimit e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, pavarësisht kufizimeve të rënda që i janë vendosur gjatë paraburgimit.

“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të të drejtave minimale – një turp më vete”, shkruan kryeministri.

Ai shton se kanë biseduar për familjen, miqtë, Shqipërinë, Kosovën dhe librat që i ka dërguar më herët dhe gjatë kësaj vizite, ndërsa Thaçi, me humor, e quan vendin ku mbahet “institut”.

“Padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës”

Në fund të reagimit të tij, Rama shprehet se nuk di më çfarë të thotë për atë që e quan një padrejtësi historike, që po ndodh në zemër të Europës demokratike, me fondet dhe bekimin e vendeve perëndimore.

“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, ndaj një populli që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist dhe shpëtoi Europën nga një njollë e zezë apartajdi”, thekson Rama.

Ai e mbyll mesazhin me një deklaratë të fortë simbolike:

“Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vitesh, në mes të Europës së lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related