Gazeta greke Kathimerini ka publikuar një analizë mbi takimin e zhvilluar në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Athinë, duke e lidhur atë me një projekt të madh minerar në juglindje të Shqipërisë.
Sipas raportimit, bëhet fjalë për një iniciativë greko-amerikane që synon shfrytëzimin e burimeve strategjike si nikeli dhe kobalti në zonën e Bilishtit, me një investim që mund të arrijë deri në 1 miliard euro.
Projekti parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët, ku grupi grek AKTOR do të ketë shumicën e aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të mbahet nga fondacioni BNI, i cili zotëron licenca minerare në Shqipëri.
Sipas shkrimit, investimi do të mbështetet kryesisht nga kapital amerikan dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve perëndimore për sigurimin e lëndëve të para kritike për industrinë e energjisë dhe teknologjisë.
Raportimi thekson gjithashtu se detajet e projektit kanë dalë fillimisht në mediat e huaja dhe jo përmes institucioneve shqiptare, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama e ka cilësuar takimin si një diskutim mbi çështje strategjike me interes amerikan në rajon, duke përfshirë energjinë dhe bashkëpunimin rajonal.
