Popullsia e vendit ra me 420 mijë persona ndërmjet censeve 2011-2023, teksa mosha mesatare e popullsisë arriti në 42.5 vite, duke u plakur me 7 vjet nga 2011-a. Rënia më e madhe e popullsisë në përqindje ka ndodhur në Shkodër dhe Kukës, teksa popullsia Tiranës, gjatë kësaj periudhe, është shtuar me vetëm 1.2%. Rreth 91% e popullsisë u deklarua me etni shqiptare dhe 66,9% e popullsisë deklaroi se ndjek ose i përket një feje ose besimi specifik. Banesat vetëm për qëllime banimi ishin 7.4% më shumë se në vitin 2011, por 40% e hyrjeve në pallate ishin bosh, teksa madhësia e njësive familjare u reduktua më tej. Nëse nuk do të kishte emigracion, popullsia e vendit do të ishte rreth 2,9 milionë banorë (shtesa natyrore 88 mijë persona + 420 mijë persona që mungojnë + 2.4 mln banorë).
Në dekadën e tretë të tranzicionit 2011-2023, kur supozohet që vendi ka kaluar emergjencën pas regjimit komunist dhe duhet të ketë hyrë në një fazë zhvillimi të qëndrueshme ka ndodhur e kundërta.
Rezultatet paraprake të censit 2023 treguan se popullsia e vendit ra me ritme më të shpejta se dy dekadat e para të tranzicionit.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Shqipëria kishte 2,402,113 banorë mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023, prej të cilëve, 49,6% janë meshkuj dhe 50,4% femra. Krahasuar me të dhënat e censit 2011, popullsia e vendit është pakësuar me 14.8%.
Kjo rënie ishte më e lartë se në periudhën 2001-2011 kur popullua ra me 9.6% ose rreth 300 mijë persona, teksa në dekadën e parë të tranzicionit 1989-2011, popullsia e vendit u tkurr me vetëm -3.1%.
Në Censin e vitit 2023, 91,0% e popullsisë deklaruan etni shqiptare, ndërsa 2,8% deklaruan një lloj tjetër etnie dhe 0,6% u përgjigjën me ‘Preferoj të mos përgjigjem’. Një përqindje e vogël e popullsisë (0,05%) ka deklaruar ‘Asnjë’ për etninë.
Rreth 66,9% e popullsisë deklaroi se ndjek ose i përket një feje ose besimi specifik sipas kategorive të paracaktuar në Cens.
Një përqindje e konsiderueshme prej 13,8% deklaroi se janë besimtarë, por nuk i përkasin ndonjë feje ose besimi të caktuar, ndërsa 3,6% deklaruan se janë ‘Ateistë’, dhe 10,2% deklaruan ‘Preferoj të mos përgjigjem’ për pyetjen mbi fenë.
