Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe lëshimit të një rakete të dytë në drejtim të territorit turk, duke akuzuar Iranin për veprime provokuese që rrezikojnë stabilitetin e rajonit.
Duke folur pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Erdogan theksoi se prioriteti kryesor i Turqisë mbetet mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe garantimi i paqes për qytetarët e saj.
“Qëllimi ynë kryesor është ta mbajmë vendin tonë larg këtij zjarri. Garantimi i sigurisë së Turqisë dhe paqes së 86 milionë qytetarëve tanë është prioriteti më i madh në këtë proces. Nuk duam që as edhe një fije floku e qytetarëve tanë të dëmtohet”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan shtoi se disa aktorë në rajon po “i hedhin benzinë zjarrit” duke nxitur destabilizim, ndërsa Turqia po përpiqet të luajë një rol stabilizues për të frenuar përhapjen e konfliktit.
Sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Ankaraja, Irani vazhdon të ndërmarrë hapa që rrisin tensionet në rajon.
Në përfundim, Erdogan theksoi se Turqia do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në koordinim me NATO-n dhe aleatët e saj, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat dhe sigurinë kombëtare.
